“Duhet të dali në pah agresiviteti për të fituar pikë”, Martini ndjen keqardhje: Nuk na falet humbja e atyre rasteve

Përballja Teuta-Vllaznia ka ulur siparin e javës së 4-t të “Abissnet Superiore”-s. Sfida ka përfunduar në baraspeshë 1-1 dhe ekipet janë larguar me nga një pikë secila nga fusha e lojës. Kuqeblutë gjetën të parët rrugën e rrjetës në këtë takim. Ishte Esat Mala ai që zhbllokoi shifrat me golin e shënuar në minutën e 24-t.

Shkodranët qendruan në epërsi deri në minutën e 96, kur edhe u rrëshkiti fitorja nga duart. Beshiraj tundi rrjetën në Vllaznisë në sekondat e fundit të ndeshjes, duke ndezur festën e shfrenuar te Teuta. Një pikë e përjetuar si fitore për durrsakët, të cilët nën drejtimin e trajnerit Dobi nuk e kanë provuar ende shijen e humbjes në kampionat. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për emisionin “Super Gol” në “RTSH” pas përfundimit të sfidës.

Martini(Vllaznia): “Të vjen keq, sepse kishim raste si në pjesën e parë, ashtu edhe në pjesën e dytë. Me kualitetet që kemi nuk duhet të na falet që të humbim ato raste. Por gjithsesi, ky është futbolli. Nuk është se unë e përgatita ekipin të ulej poshtë. Kartonat e verdhë na hoqën luftën për topin e parë. E dija, e kisha frikën që mund të na dilte ndonjëri me karton të kuq. Ranë dyluftimet dhe prandaj u kthyem mbrapa. Kështu që dolëm pak nga mënyra e lojës sonë. Ajo që duhet theksuar është që në momentet e fundit duhet të dali në pah ai agresiviteti dhe vendosmëria për të fituar pikët. Komplimente edhe Durrësit, sepse ka bërë një ekip të mirë, pavarësisht se ne kishim mundësinë ta fitonim ndeshjen sot”.

Dobi (Teuta): “Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë për ne. Duhet t’i japim të gjitha meritat Vllaznisë. Në pjesën e parë na futi jo pak në vështirësi. Ishim me një kohë vonesë, si në mbrojtje, si në sulm. Tre gjërat që funksionuan më shumë për ne sot ishin: që treguam më shumë shpirtin e garës, e dyta organizimi i lojës dhe e treta është përgatitja. Kemi luajtur dy ndeshje brenda tre ditëve. Kemi luajtur me dy kundërshtarë të vështirë siç është Dinamo dhe Vllaznia. Me mënyrën si erdhi rrjedha e lojës, në fund duhet të mbetemi të kënaqur me pikën.

Në pjesën e parë ishim në vështirësi, duhet ta pranojmë këtë. Por ishim të lodhur. Kemi vetëm 4 ndeshja, Vllaznia ka 8. Është vetëm fillimi i kampionatit. Nuk dua të gjej justifikime, sepse nuk jam as tip që bëj justifikime. Por dalë ngadalë do ta rrisim ritmin. Do të vijmë aty ku duhet. Ne trajnerët jemi ata që japim lapsat për të vizatuar diçka të bukur. Ndonjëherë nuk del ashtu siç duhet. Por jemi në rrugën e duhur. Në fund rezultati është gjithmonë më i rëndësishëm. Duhet ta pranojmë që nuk jemi ende në atë nivel që të luajmë çdo tre ditë”./Sport Ekspres/