Shqipëria do të luajë kundër Serbisë më 11 tetor në ora 20:45, në stadiumin e Leskovacit sfidën më të rëndësishme të këtij rrugëtimi në kualifikueset e Botërorit 2026. Pasi shpalli listën me 25 lojtarët e grumbulluar, trajneri Silvinjo doli sot në konferencën zyrtare për media në ”Shtëpinë e Futbollit”.
Tekniku brazilian shpjegoi për gazetarët zgjedhjet e tij në këtë grumbullim, ndërsa theksoi se përballja e 11 tetorit ndaj Serbisë është sfida më e vështirë dhe më e rëndësishme e grupit dhe skuadra duhet të jetë e përqëndruar 100%. Drejt Leskovcit, skuadra do të udhëtojë vetëm për të marrë një rezultat pozitiv. Ndër të tjera, ai shpjegoi edhe pse nuk ka ftuar lojtarë si Seferi, Gripshi, Mehmeti, Muçi dhe Berisha.
“Kemi grumbulluar 25 lojtarë. Kemi një situatë pak më ndryshe këtë herë. Katër ditë më parë, Ismajli ka pasur një dëmtim dhe nuk ka luajtur. Për ndeshjen e fundjavës nuk do të udhëtojë me ekipin drejt Romës për ndeshjen me Lazion. Mjekët e ekipit të tij do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me doktorin tonë, për të parë dhe për të vlerësuar gjendjen e tij. Do të presim fundjavën për të marrë një vendim”.
A besoni te skuadra? – Besoj absolutisht te lojtarët tonë. Nuk është momenti i eksperimenteve. Është një moment shumë i rëndësishëm i kualifikimit, ne i njohim shumë mirë lojtarët. Për shkak edhe të dëmtimeve, kemi grumbulluar këtë herë Klisman Caken, i cili hyn në grup. Sepse është momenti i lojtarëve me eksperiencë, nuk është momenti i një djali 21-22 vjeçar, duke qenë se është një ndeshje e rëndëishme. Besoj dhe jam i kënaqur me listën e të grumbulluarve.
Si do ta fitojë Kombëtarja këtë ndeshje? – Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë, për të dyja skuadrat sepse jemi të dyja në moment për t’u kualifikuar. Skuadra e tyre është shumë e fortë dhe me eksperiencë, por në futboll luhet për 90 minuta. Nuk vendoset një ndeshje nga 15 apo 20 minuta. Sigurisht që do të jemi të fokusuar për 90 minuta për të bërë më të mirën. Jemi koshientë për atë që duhet të bëjmë. E thashë edhe më përpara, besoj shumë tek ekipi im, te lojtarët që kur u jep besim, krijohet edhe një atmosferë shumë e mirë te dhomat e zhveshjes. Besoj që do të bëjmë një ndeshje të mirë. Kemi bërë edhe më parë performanca të mira, si në Pragë, në Varshavë dhe do jemi 100% të përqëndruar për të bërë 90 minuta të mira.
A është kjo ndeshja që na lë jashtë Botërorit nëse nuk marrim rezultat? – Është një ndeshje e rëndësishme për të qëndruar ”gjallë” dhe të jemi drejt objektivit për të shkuar në Botëror. Nuk është ndeshje definitive, sepse janë edhe dy ndeshje të tjera, përveç ndeshjes me Serbinë për të përfunduar këtë rrugëtim. Duhet të jemi shumë të përqëndruar për të marrë fitoren. Duhet të paraqitemi shumë mirë që të kemi rezultat shumë të mirë. Nëse çdo gjë shkon mirë është edhe “play-off”. Objektivi në këtë moment është të përfundojmë në vendin e dytë, duke qenë se Anglia është një ekip shumë i fortë. Tani duhet të përqëndrohemi 100% te Serbia. Është pengesë e vështirë, por që do të japim maksimumin.
Çfarë duhet të bëjnë më shumë Seferi, Gripshi dhe Mehmeti për të qenë pjesë e skuadrës? – Fillimisht kemi ndeshje të dytë dhe mund të kemi ndryshime në vazhdim. Nuk kisha dëshirë që në Serbi të shkoja me 26-27-28 lojtarë, preferoj të përqëndrohem në 24 ose 25 lojtarë. Sepse edhe nga eksperienca ime si ish-lojtar, të dërgosh lojtarë në tribunë është e shëmtuar dhe të mërzit. Preferoj të flas për lojtarët që kam grumbulluar, por gjithsesi mund të them që Gripshi është një lojtar të cilin e ndjek prej 6 muajsh dhe më pëlqen shumë. Mehmetin e kam vizituar dhe në Bristol, por siç e kam thënë dhe më parë, kemi shumë ‘trafik’ në krahun e majtë si Hoxha, Bajrami, Uzuni. Mehmeti me ne ka luajtur në të djathtë, por me ekipin e tij luan në krahun e majtë. Ai ka luajtur ndeshjet e para me ne, e kemi pozicionuar në të djathtë. Është një lojtar shumë i mirë, nuk kam gjë kundër tij, por preferoj mos të shkoj me 26-27 lojtarë. Jam shumë i kënaqur me lojtarët të cilët kemi grumbulluar. Sa i përket Seferit, ai ka bërë një rrugëtim shumë të mirë me Kombëtaren tonë. Por jam i kënaqur me lojtarët që kemi grumbulluar. Dua të përmen edhe Çokën, i cili më ka pëlqyer shumë në ndeshjen e fundit. I ekuilibruar dhe taktik, por në thelb kjo është lista dhe lojtarët që kemi grumbulluar.
Si është gjendja emocionale dhe psikologjike e lojtarëve për këtë ndeshje? – E kam parë ndeshjen e 11 viteve më parë. Ne jemi të përgatitur për të bërë një ndeshje futbolli, për të pasur një ndeshje të bukur nga të dyja palët. Duhet të përgatitemi mirë për të dhënë 100% tonë. E theksova dhe më parë që kemi grumbulluar 25 lojtarë në mënyrë që të jemi të përqëndruar në atë që duam të japim. Pjesë e punës me ekipin është edhe aspekti psikologjik, por nuk do ta quaja aspekt psikologjik. Më tepër preferoj të japim mesazhe tek ekipi, që duhet të punojmë fort dhe të jemi të përqëndruar në këtë pjesë. Kemi disa ditë punë radhazi me ekipin, që do të ketë hapësirë për të punuar në aspektin individual.
Etrit Berisha? – Tre portierët që kemi grumbulluar për këtë ndeshje kanë dhënë performanca shumë të mira, si në ndeshje, po ashtu në stërvitje. Ia kam thënë Ilir Bozhiqit, përgatitësit tonë, më ka pëlqyer stërvitja e tyre. Dajsinani po bën shumë mirë. Simoni është lojtar për të ardhmen. Kur e mora në Europian, e bëra sepse te Simoni kam besim shumë që në të ardhmen mund të marrë një vend në këtë Kombëtare dhe të ecë shumë para. Kemi lojtarë të rinj, nëse shikojmë ka gjithmonë lojtarë të rinj që ftohen. Në futboll ndodh kështu, ka ndryshim brezash. Jemi shumë të lumtur me këta lojtarë dhe do të përgatisim ndeshjet me këto portierë.
Presidenti Duka ka thënë se kjo ndeshje vendos fatin. A mendon se ka rëndësi të dyfishtë, si për Kombëtaren dhe për ju? – Ne duhet të përqendrohemi 100 % te ndeshja me Serbinë. Për të ardhmen duhet të mendoj unë, por nuk është momenti. Nuk më shqetëson aspak, duhet të përqendrohemi te Serbia. Vetëm aty jemi të fokusuar. Nuk duhet të harxhojmë energji me gjëra të tjera. Për të ardhmen mendoj unë, nuk është momenti sipas meje. Ndeshja me Serbinë nuk është e rëndësishme, por shumë e rëndësishme.
Pse mungon Muçi dhe nëse Ismajli do jetë i dëmtuar, do të ketë zëvendësues? – Muçi ka një rrugëtim të ri me një klub të ri, por siç e thashë ka shumë lojtarë në krahun e majtë. Duhet të zgjedh lojtarët. E zgjedh unë të shkoj me 25 lojtarë, jo me 28 në Serbi. Kjo ka qenë zgjedhja ime përsa i përket kësaj ndeshje. Nëse Ismajli nuk ia del, duhet ta mendojmë. Kemi fundjavën përpara dhe duhet të presim. Do të shohim gjendjen e tij dhe të lojtarëve të tjerë, sepse të gjithë lojtarët luajnë këtë fundjavë. Mund të flasim të dielën në mbrëmje për këtë, por tani duhet të presim. Ka një mundësi për të shkuar me 24, do shikojmë.
Ndryshimi i stadiumit për ndeshjen me Serbinë, është më mirë për ne, apo jo? – Nuk ndryshon asgjë ndryshimi i stadiumit. Është një stadium i ri, më i vogël. Ata janë mësuar duke luajtur në atë stadium. Kanë luajtur ndaj Andorrës, ndaj Danimarkës, etj. Në rastin tonë nuk ndryshon asgjë.
Ashtu siç është bërë e ditur, sipas marrëveshjes së arritur para nisjes së edicionit kualifikues, nuk do të ketë tifozë shqiptarë në Leskovac, ashtu siç nuk kishte tifozë serbë në Tiranë.