“Duhet t’i lëmë mediat dhe rrjetet sociale”, Skënder Gega ka besim për finalen me Elbasanin: Kam folur me çdo lojtar 

Elbasani dhe Partizani do të luajnë një ndeshje finale sa i përket ekipit që do të marrë biletën e fundit të Europës. Një përballje direkte në kampionat, në ndeshjen e fundit të këtij sezoni. Partizanit i duhet me patjetër fitorja, ndërsa për Elbasanin mjafton edhe barazimi. Para këtij takimi, trajneri Skënder Gega ka folur në konferencën për shtyp ku u shpreh se lojtarët duhet të largohen nga rrjetet sociale për t’u mos ndikuar në këto kohë. 

“Eshtë ndeshja e fundit , ndeshje e rëndësishme. Eshtë një ndeshje që ka peshë të madhe sepse piksynimet kanë qenë për të qenë lart edhe për “Final 4” për trofe. Duke u nisur nga ndeshja me Egnatian mënyra se si shkoj loja ishte një ekstra lodhje për ne sepse luajtëm 120 minuta. Në këtë aspekt jemi pak të rënduar fizikisht, koha ka qenë e shkurtër. Jemi munduar të rikuperojmë , jemi besim plotë që do ja dalim. 

Unë besoj se kupa është e ndarë nga objektivi kampionatit. Në aspektin e përgjithshëm besoj se bëmë të pamundurën. I kishim mundësitë për ta mbyllur lojën. Mendoj se jemi të fokusuar tek ndeshja e nesërme. Edhe në takimin ndaj Egnatias kemi menduar edhe te zëvendësimet ti japim disa lojtarëve pushim. Kemi pasur ndonjë dëmtim të vogël, por këto ditë kemi menduar mos tju japim lojtarëve presion. Jemi optimist, nëse nuk je optimist në futboll është e pamundur . E respektojmë kundërshtarin kanë patur një ecuri të mirë, por jemi në fushën tonë , jemi me tifozët tanë. Shpresoj dhe kam besim të plotë që do ja dalim. 

Kemi patur mungesa, asnjëherë mungesat nuk janë justifikim. Patjetër kur në një grup me format të caktuar një po të mungojë fillojnë dhe krijohen dilemat. Koha ka qenë shumë e shkurtër, deri nesër do mundohemi të rekuperojmë sa më tepër. Sapo kemi përfunduar edhe seancën e fundit stërvitore. Mendoj se të gjithë janë të preokupuar, në mënyrë absolute nuk dua të vë në dyshim preokupimin ose dëshirën e lojtarëve. Janë disa gjëra në futboll që jo çdo gjë shkon paralel. Eshtë një grup lojtarësh që po mundohen dhe e ndjejnë përgjegjësinë por unë nuk dua ti rëndoj në aspektin psikologjik. Duhet të distancohemi nga mediat dhe rrjetet sociale, nga komentet. Jam munduar të flas me secilin. Ata e kanë sjell deri këtu jo unë. Janë në vend të 4 me një golavarazh jo më të mirë se Elbasani, por i kanë të gjitha mundësitë”, tha Gega. /Sport Ekspres/