Mbrëmje historike për Dinamon. Klubi shqiptar arrin për të parën herë në “play off” të Ligës së Konferencës. “Nëndetësja” ka bërë mrekullinë në “Air Albania”, teksa ka eleminuar pastër Hajdukun e Splitit. Zabërgja tundi rrjetën në minutën e 14, duke shënuar golin e vetëm të kohës së rregullt.
Me rezultatin e përgjithshëm 2-2, skuadrat iu drejtuan 30 minutave të kohës shtesë. Pavarësisht se në disavantazh numerik që nga minuta e 78, kroatët arritën të barazonin përkohësisht. Karaxhiçi tundi rrjetën në minutën e 99, por supergoli i Qardakut në të 109-n dhe Berisha në minutën e 111 vulosën kualifikimin e Dinamos. Ekipi i Ilir Dajës mund kështu Hajdukun e Splitit me shifrat 3-1, duke shkuar vetëm një hap larg grupeve të Ligës së Konferencës. Pas përfundimit të ndeshjes, Ilir Daja ka dhënë përshtypjet e tij të parë për mikrofonin e “SuperSport”-it.
“Mbrëmje historike për futbollin shqiptar, për klubin e Dinamos dhe për përfaqësimin e klubeve shqiptare në arënën ndërkombëtare. Përballë kishim një gjigant të traditës, të futbollit kroat, siç është Hajduku, me 240 e ca ndeshje. Me një kontigjent lojtarësh dhe me një staf të mirë. Kemi prezantuar në mënyrën më të mirë futbollin e klubeve të Shqipërisë. E merituam këtë fitore. Më duhet të dal nga vetja, përtej modestisë time që më karakterizon. Do më vinte shumë keq (nëse do të eleminoheshim), pasi në të gjithë ndeshjen, edhe kur Hajduku ishte me 11 lojtarë, kishim më shumë raste.
Djemtë filluan ta menaxhonin vetë lojën. Kur e menaxhon lojën, frika nuk është më prezente. Në fund jemi të lumtur, pasi e bëmë historinë. Unë e kam bërë një herë historinë me Skënderbeun kundër Dinamos së Zagrebit, por e bëmë edhe sot me një tjetër gjigant të futbollit kroat. Të përballesh me kundërshtarë të nivelit të Hajdukut të Splitit dhe të kualifikohesh, është një bonus shumë i madh psikologjik. Lojtarët tanë, me shumë krenari e them, hodhën një hap drejt personalitetit në fushë. Të festojmë sot, sepse na takon, dhe nesër do të merremi me Jagiellonian. Është edhe ai një kundërshtar shumë i vështirë. E dimë që shkalla e vështirësisë do të jetë po ajo si me Hajdukun”, ka deklaruar Ilir Daja./Sport Ekspres/