Pavarësisht minutave të pakta te Interi, Kristjan Asllani e tregoi edhe në Europianin e Gjermanisë sesa i “vlen lëkura”. Një futboll klasi, nëse jo ende botëror, për Shqipërinë është e sigurt se nuk e ka një të dytë si ai në rolin e tij. Ndaj Italisë pati shumë probleme dhe luhatje, si shumë prej futbollistëve që u zhdukën në fushë, por ndaj Kroacisë dhe Spanjës e tregoi saktësisht se kujt niveli i përket.
Besimi është rritur për Asllanin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali. Nuk është mister që Fiorentina vlerëson shumë cilësitë e Kristjan Asllanit, mesfushorit që luan si zëvendës i Calhanoglu në Inter dhe që nuk ka treguar kurrë pakënaqësi me minutat e pakta te italianët, në të vërtetë ai gjithmonë e ka vlerësuar mundësinë për t’u rritur pas një gjiganti si Calhanoglu.
Inzaghi beson tek Asllani dhe madje në momente shumë të rëndësishme i ka dhënë përgjegjësitë e duhura, ndaj synimi i tyre është të mos e shesin, nëse nuk përballen me shifra vërtet të rënda, mbi 30 milionë euro. Raffaele Palladino megjithatë është i çmendur pas ish-lojtarit të Empolit dhe i ka kërkuar klubit të tij të ri që ta provojë.
Për këtë arsye, Viola do ta përfshinte në një shkëmbim me Nikola Milenkoviçin, për të cilin Interi ka shprehur prej vitesh interes, por që në fakt nuk ka mbërritur kurrë në Milano. Natyrisht, do të ishin agjentët ata që do t’i njoftonin Nerazzurrët për mundësinë, por operacioni është i destinuar të mbyllet para se të fillojë. Kampionët e Italisë nuk janë në kërkim të një lojtari të këtij pozicioni dhe nuk janë më aq të bindur nga serbi dhe për këtë arsye kanë dhënë një “JO” të prerë. /Sport Ekspres/