E bujshme/ Ndryshohen rregullat për Europian dhe Botëror, Shqipëria dhe Kosova do shkojnë shpesh

Tani është bërë e udhës që rregullat e futbollit dhe kompeticioneve të jenë në ndryshim të vazhdueshëm pasi tifozët e futbollit kërkojnë risinë. Në Champions League u bë prova e parë dhe deri tani rezultoi me sukses, teksa u hoqën grupet e mësuara prej kohësh dhe u vendos renditja me pikë si në një kampionat.

Qëllimi kryesor i UEFA-s është që të shmang ndeshjet e mërzitshme dhe të pabarabarta pasi ka shumë ekipe që dalin nga gara përpara kohe dhe rezultatet e tyre janë shumë formale, duke hequr shikuesit nga televizoni dhe stadiumet. Sipas asaj që raporton L’Equipe, UEFA po diskuton ndryshimin e fazës së grupeve për kualifikueset e Europianit dhe Botërorit për Kombëtaret.

Presidenti Ceferin është gati që të propozojë dy variante të reja që me siguri do ta afronin Shqipërinë dhe Kosovën gjithmonë e më shumë me kualifikimet në Europian dhe Botëror. Varianti i parë është përdorimi i formulës së Ligës së Kombeve si një rrugë kualifikuese, ku ekipet do të ndeshen dhe maten sipas forcës së tyre. Pra nëse Shqipëria zbret pak nga Ligat ku ndodhen të mëdhatë, atëherë shmang përballjet e forta dhe ka më shumë mundësi në duar për të kaluar duke mundur vetëm kundërshtarë që i ka të forcës së saj.

Gjithashtu një ide tjetër është përsëritja e skemës së Champions League edhe në kualifikueset e Europianit dhe Botërorit. Një ide që ka më shumë mundësi që të zbatohet duke parë suksesin e deri tanishëm të kësaj formule. Pra të ketë 54 ekipe që luftojnë për pikë si në një kampionat të vetëm ose të ketë dy grupe kampionati me 27 ekipe secila. Kjo do të mundësojë heqjen e ekipeve të mëdha për Shqipërinë dhe Kosovën që deri tani kanë sipër tyre nëpër grupe të paktën dy ekipe që janë të pakalueshme.

Për të qenë më të saktë, një ekip është gjithmonë i pakalueshëm dhe një tjetër që është më i fortë se ne duhet mundur. Problemi qëndron se nëse bëhet një gabim ose nuk arrihet mrekullia për të fituar ndaj ekipit të dytë humben të gjitha shanset për kualifikim.

Si në rastin konkret ku Shqipëria ndodhej në një grup me Anglinë dhe Serbinë. Një Angli e pakalueshme, por i gjithë problemi është se kualifikimi ynë vendosej në përballjet direkte me Serbinë. Ndërsa në një fazë kampionati rruga do të jetë më e lehtë pasi nuk luhet dy herë me të njëjtin ekip dhe si Shqipëria dhe Kosova nuk do të luajnë gjithë historinë e tyre të kualifikimit në dy ndeshje, por do të përballen me kundërshtarë të ndryshëm dhe kjo rrit shanset tona për kualifikim. /Sport Ekspres/