Presidenti i Barcelonës, Laporta, ka reaguar menjëherë pas përfundimit të El Clasico. Real Madridi fitoi në shifrat 3-2 dhe për këtë ndeshje ka pasur shumë diskutime sa i përket vendimeve të arbitrave. Më konkretisht për golin që nuk iu quajt Yamal, teksa në disa pamje duket që topi ka kaluar vijën, por për arbitrat dhe VAR, nuk u akordua gol. Laporta shkoi më tej duke thënë se do të kërkojë përsëritjen e ndeshjes.
“Si president i FC Barcelona, dua të përcjell pakënaqësinë që një ditë pas një prej ndeshjeve më të rëndësishme në kalendarin botëror, keqpërdorimi i një mjeti të tillë si VAR po vendos axhendën tonë. Siç e dini, nuk kam qenë kurrë një mbrojtës i madh i VAR-it, sepse besoj se ashtu siç zbatohet, i heq spontanitetin futbollit. Por ajo që unë jam në favor është që, meqenëse e kemi, duhet të përdoret gjithmonë për të shmangur gabimet që mund të çojnë në vendime të padrejta.
Ne e kuptojmë vështirësinë e punës së gjyqtarit, por pikërisht për këtë arsye ka mjete (të tilla si VAR ) që duhet të ndihmojnë për të pasur një konkurrencë më të drejtë dhe jo anasjelltas. Dje ka pasur disa vendime të diskutueshme, por mes të gjithave ka një që është thelbësore (rasti i Yamal) dhe që mund të çojë në ndryshimin e rezultatit përfundimtar të lojës. Si klub ne duam të jemi të sigurt për atë që ka ndodhur dhe për këtë arsye ju informoj se ne si FC Barcelona do të kërkojmë menjëherë nga Komiteti Teknik i Gjyqtarëve dhe Federata Spanjolle e Futbollit që të na japin të gjitha imazhet dhe audion e rastit në fjalë.
Nëse, pasi të jetë analizuar ky dokumentacion, klubi kupton se ka ndodhur një gabim në vlerësimin e lojës, ne do të zbatojmë të gjitha veprimet e duhura për të ndryshuar situatën. Nëse konfirmohet se ishte një gol i rregullt, do të shkojmë më tej dhe nuk përjashtojmë të kërkojmë rikthimin e ndeshjes, ashtu siç ka ndodhur në një ndeshje europiane për shkak të një gabimi VAR”, tha Laporta. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/