E bujshme/ Risia e madhe e Silvinjos për nëntorin, fton lojtarin që e duan të gjithë te Shqipëria

Të gjithë e shohin futbollin, por pak e kuptojnë, të gjithë e shohin Silvinjo, por akoma më pak e kuptojnë. Pas Europianit të Gjermanisë, kritika të mëdha nisën për këtë trajner dhe më pas pasuan edhe historitë e ndërhyrjes së menaxherëve me të. Pra sipas gojëdhënave, disa lojtarë nuk marrin minuta pasi nuk kanë menaxherin që Silvinjo kërkon për ta.

Por le të marrim një rast që e kundërshton këtë hipotezë. Medon Berisha, u ftua papritur në Europianin e Gjermanisë, kur askush nuk e njihte. Në atë kohë u tha se kjo ftesë ishte pasi Berisha ka si menaxher Fali Ramadanin, pra e njëjta agjenci që menaxhon edhe Silvinjon. Deri këtu, gjithçka është brenda llogjike. Por Medon Berisha atëherë ishte i panjohur dhe Silvinjo i besoi, ndërsa tani Medon Berisha është një prej mesfushorëve më të mirë të Shqipërisë dhe që po thotë fjalën e tij në Serinë A me Lecce dhe Silvinjo nuk po e aktivizon asnjë minutë.

Pra nuk është rasti i menaxherit, por një tjetër çështje te Silvinjo. Ashtu si edhe me Armando Brojën, që kur ishte në një formë më të mirë e aktivizonte pak, ndërsa tani që ka ngelur jashtë prej kohësh, e aktivizon gjithmonë titullar, pavarësisht pozicionit tjetër. E njëjta situatë edhe me Arbër Hoxhën që kur ishte në shkëlqim në Europian nuk e aktivizonte dhe kur po kalonte një formë jo të mirë te Dinamo e Zagrebit, po e niste si titullar te Shqipëria.

Silvinjo është tipi i trajnerit që bën gjithmonë të kundërtën e asaj që mendon turma, shumica e njerëzve. Pak a shumë si rasti i Tudor te Juventusi, që kur të gjithë kërkonin Vlahovic dhe Zhegrovën titullar, Vlahovic e hidhte në fushë nga pjesa e dytë dhe Zhegrovën nuk e aktivizonte asnjë moment.

Koha i dha të drejtë Silvinjos për shumë lojtarë, mes tyre edhe për Ernest Muçin që po vuan njësoj si te Beshiktashi edhe te Trabzonspori, megjithëse flitet për dy ekipe që kanë kualitete lojtarësh të ndryshme.

Dhe duke parë faktin se Shqipëria fitoi kundër Serbisë, sipas të gjitha gjasave, në ndeshjet e nëntorit do të jetë edhe Anis Mehmeti i ftuar te Shqipëria. Kjo pasi Silvinjo kërkon të marrë një “yll” të shumëkomentuar në momentin që ai dëshiron, për të pasur një tjetër qasje ndaj tij, ku lojtari nuk ngrihet mbi trajnerin.

Deri para Serbisë, Anis Mehmeti ishte më i rëndësishëm se Silvinjos. Deri para Serbisë, Ernest Muçi ishte më i rëndësishëm se Silvinjo. Sot as Ernest Muçi, as Anis Mehmeti dhe as Armando Broja nuk janë më të rëndësishëm se Silvinjo, të gjithë kërkojnë kualifikimin në Botëror, pa emra konkret. Dhe duke parë situatën që është në favorin e tij, në këtë moment Silvinjo do ta ftojë Anis Mehmetin te Shqipëria për t’i dhënë edhe një tjetër mundësi, por sipas rregullave të tij dhe jo të Anis Mehmetit.

Jo më kot kur Myrto Uzuni luante te Granada si titullar i padiskutueshëm, Silvinjo nuk e aktivizonte, ndërsa tani që luan në MLS, në një kampionat me ritëm shumë më të ulët, Silvinjo e aktivizon. Madje trajneri tha se i pëlqente më shumë Uzuni i MLS sesa i La Liga-s pasi ai kërkon lojtar të përulur dhe lojtarë që vijnë nga momente ideale, por që humbin pak sensin e sakrificës për Kombëtaren. Dhe e marrë në këtë vijë llogjike, një ftesë e Silvinjos për Anis Mehmetin për ndeshjet e nëntorit duket më shumë sesa e sigurt. Pra do të luajmë, por me kushtet e mia, kjo është qasja e Silvinjos, aspak menaxheriale… /Sport Ekspres/