E bujshme/ Shenjë e Zotit? Gjeorgjia na bën dhuratë të madhe, Shqipëria mund të kalojë edhe me 1 pikë ndaj Spanjës

Një ndeshje shumë emocionuese ishte ajo mes Gjeorgjisë dhe Cekisë, veçanërisht për llogaritë e shqiptarëve. Kjo përballje duhej të dilte në barazim dhe në fakt ashtu përfundoi, 1-1. Por në sekondën e fundit të takimit, debutuesit e këtij Europianit, Gjeorgjia, kishte një rast fatal të cilin e shpërdoroi dhe i hoqi 3 pikët ekipit të tij.

Tani në Shqipëri duhet të fërkojnë duart me të drejtë. Pak ditë më parë ne ishim media e parë që publikuam variantin se Shqipëria kalon më tej në Europian edhe me një pikë kundër Spanjës. Tani kjo teori po merr gjithmonë e më tepër vërtetësi logjike, ka akoma më shumë shanse të ndodh, nuk është thjeshtë një hipotezë matematikore.

Si mund të kalojë Shqipëria me një barazim? Atëherë, siç dihet janë 4 vendet e treta më të mira nga 6 në total që kualifikohen dhe 2 kthehen në shtëpi. Fillimisht duhet që Shqipëria të marrë një pikë kundër Spanjës dhe Kroacia të mos fitojë kundër Italisë, në mënyrë që ne të ruajmë vendin e tretë.

Për të vazhduar shpjegimin e grupit të Gjeorgjisë dhe pse shqiptarët duhet ta festojnë barazimin e tyre ndaj Cekisë, 1-1. Kur kanë përfunduar 2 xhiro dhe mbetet një e vetme, Cekia dhe Gjeorgjia mbajnë vendin e fundit me 1 pikë, ndërsa Turqia dhe Portugalia kanë nga 3 pikë dhe një ndeshje më shumë për ta luajtur mes tyre.

Më pas do të jenë përballjet, Portugali-Gjeorgji dhe Turqi-Ceki. Në këto ndeshje duhet që Portugalia të fitojë ose të barazojë ndaj Gjeorgjisë, por jo të humbas dhe nga ana tjetër Turqia duhet që të fitojë ndaj Cekisë dhe të barazojë në shifrat 0-0 ose 1-1, rastet e barazimit 2-2 ose 3-3 do të na vendosnin në rrezik, por jo të fitojë Cekia. Pra, flasim për rezultate që janë brenda logjikës dhe nëse kjo do të ndodhi, atëherë vendi i tretë i këtij grupi do të renditej poshtë Shqipërisë, duke llogaritur gjithmonë një pikë të marrë ndaj Spanjës.

Këtu vjen në favor gjithë kritika që mori Silvinjo ndaj Italisë, por që tani po na bën jo pak punë, fakti që humbëm vetëm një gol dhe fakti që kemi shënuar 3 gola deri tani. Sepse në rast golavarazhi të njëjtë shikohet numri i golave të shënuara dhe Cekia ka shënuar 2 gola deri tani dhe ka golavarazh të njëjtë me ne, -1. Dhe në rast se barazimi i Cekisë ndaj Turqisë do të ishte 3-3 ndërsa i Shqipërisë ndaj Spanjës do të ishte 0-0, Cekia do ta kalonte Shqipërinë me golat e shënuara. Por brenda logjikës Turqia duhet ta fitojë ndeshjen me Cekinë ose të marrë një barazim deri në shifrat 1-1.

Për të kaluar në grupin tjetër, ku situata është edhe më e lehtë, grupi C. Anglia gjendet e para me katër pikë, Danimarka ndodhet e dyta me 2 pikë, Sllovenia vjen e treta me dy pikë dhe Serbia vjen e fundit me një pikë. Ndeshjet e fundit do të jenë ato mes Angli-Slloveni dhe Serbi-Danimark. Në ndeshjen Angli-Slloveni duhet që anglezët të fitojnë me dy gola diferencë dhe kjo pritet të ndodh pas asaj performance të turpshme të Anglisë në ndeshjen e fundit, ku motivimi është i madh për këtë ndeshje për të treguar vlerat e tyre.

Por edhe një fitore 1-0 e Anglisë do t’i bënte shumë punës Shqipërisë për të lënë mbrapa Slloveninë si vendi i tretë, mjafton që Anglia të mos fitojë me një gol diferencë dhe Sllovenia të shënojë më shumë se 1 gol, pra nuk duhen fitoret 3-2, 4-3.

Ndërkohë në ndeshjen Danimarkë-Serbi, na bëjnë punë shumë rezultate të logjikshme. Nëse Danimarka fiton ndaj Serbisë, mbyllet gjithçka në favorin tonë. Nëse Danimarka barazon ndaj Serbisë, mbyllet sërish gjithçka në favorin tonë. Ndërsa nëse Serbia fiton kundër Danimarkës, duhet bëj këtë me dy gola diferencë ose në shifrat 1-2, nëse flitet për një gol diferencë.

Këto janë dy grupet ku Shqipëria synon të lërë mbrapa vendet e treta me golavarazh më të mirë dhe sigurisht pengu më i madh i joni duhet të jetë ajo humbje ndaj Kroacisë, që duhet të shijohet si e tillë pasi humbëm 2 pikë dhe me gjasë, do të kishim mbyllur historinë e kualifikimit.

Por është edhe një grup tjetër, më i thjeshtë në shpjegim, nga ku mund të marrim një dhuratë të madhe. Është grupi A ku janë zhvilluar dy ndeshje dhe mbetet një e fundit. Gjermania ndodhet e para me gjashtë pikë, Zvicra vjen e dyta me katër pikë, Skocia vjen e treta 1 pikë dhe Hungaria është e fundit me 0 pikë. Në këtë grup e vetmja mënyrë si mund të përfitojë Shqipëria është që ndeshja e fundit Skoci-Hungari të përfundojë në barazim, pasi golavarazhi i Skocisë është minus 4. Nëse këto dy ekipe përfundojnë në barazim, zyrtarisht linim pas vetes një ekip dhe synonim të dilte një nga variantet e dy grupeve të përmendura më sipër. Por duke ditur që barazimi është një rezultat që nuk i bën punë askujt mes Skocisë dhe Hungarisë, shanset janë të mëdha që dhurata të vijë vetëm nga dy grupet e mësipërme. Ndërsa fitorja e Shqipërisë ndaj Spanjës nuk do të kishte më nevojë për matematikë, zyrtarisht të kualifikuar. /Sport Ekspres/