“E dimë se sa cilësor është Mehmeti”, shoku i skuadrës i thur elozhe: U gëzova shumë kur më tha se do të vinte te Ipswich-i

Anis Mehmeti ka lënë një ndikim mjaft pozitiv në ekipin e Ipswich-it, pavarësisht se u transferua vetëm përpara pak ditëve. Lojtari shqiptar është pritur mjaft mirë në “shtëpinë” e tij të re. Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes kundër Derby-t, Leif Davis-i foli edhe për afrimin e Mehmetit. Futbollisti i Ispwich-it shprehu hapur vlerësimin e madh që ka për 25-vjeçarin shqiptar.

“Ne po e shijojmë 100% që e kemi këtu, e dimë që ai është cilësor. Fola me të kur luajtëm kundër Bristolit në shtëpi dhe e pyeta ‘po vjen?’ dhe ai tha ‘po, mendoj se po’. Unë u gëzova kur e tha këtë, sepse e di cilësinë që ka dhe sa shumë punon me dhe pa top. Ta kesh atë në ekip është e pabesueshme, kështu që jam shumë i lumtur që ai është këtu”, ka deklaruar Leif Davis-i./Sport Ekspres/