E donte edhe kur ishte te Milani, Stefano Pioli shtyn për transferimin e Kristjan Asllanit nga Interi

Stefano Pioli, trajneri i ri i Fiorentinës dhe ish-trajneri i Milanit, po kërkon të përforcojë mesfushën me një emër të njohur për të: Kristjan Asllanin. Sipas mediave italiane, Pioli ka kërkuar shërbimet e mesfushorit shqiptar të Interit, të cilin e kishte ndjekur edhe gjatë kohës që drejtonte Milanin. Asllani është një nga objektivat kryesorë të Fiorentinës për merkaton e verës, pasi përputhet me kërkesat taktike të trajnerit të ri.

Asllani ka pasur pak hapësira te Interi, duke mos gjetur vazhdimësinë e dëshiruar. Transferimi te Fiorentina do t’i jepte atij mundësinë të luante më shumë dhe të rritej si lojtar. Interi, nga ana tjetër, nuk dëshiron ta huazojë futbollistin, por vetëm ta shesë për një shumë që llogaritet rreth 18-20 milionë euro.

Fiorentina po punon për të gjetur marrëveshjen e duhur ekonomike, pasi Pioli e konsideron Asllanin një element kyç për ndërtimin e skuadrës. Kalimi i mesfushorit shqiptar në Firence do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e tij dhe një lëvizje e zgjuar për klubin vjollcë. Negociatat pritet të intensifikohen në ditët në vijim. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/