Rrugëtimi europian i Ballkanit është ndërprerë sot. Pas dy kualifikimeve radhazi në grupet e Ligë së Konferencës, ekipi i drejtuar nga Ilir Daja është eleminuar në turin e tretë kualifikues. Koha e rregullt përfundoi me shifrat 1-0, teksa goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 45 nga Hamidi me penallti.
Në këto kushte, sfida përfundoi në shtesa, pasi po me të njëjtin rezultat kishte përfunduar edhe ballafaqimi i parë mes tyre. 30 minutat e kohësh shtesë nuk prodhuan asnjë gol, prandaj të gjitha shpresat mbetën te penalltitë. Fati luan një rol të madh në rastin e 11 metërshave dhe këtë herë ai i buzëqeshi Larnes. Kampionët e Irlandës së Veriut shënuan saktë 4 herë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa lojtarët e Ballkanit vetëm një herë. Portokallzinjtë humbën kështu rastin për të qenë për të 3-tin vit radhazi në grupet e Ligës së Konferencës. Në rast kualifikimi, Ballkani do të ndeshej me ekipin nga Giibraltari, Linkoln Imps-in. Një kundërshtar që do t’ia bënte të lehtë kalimin në grupe kampionëve të Kosovës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/