Interi ka marrë sot një nga fitoret më të rëndësishme të sezonit. “Gjarpri” ka kafshuar edhe Atalantën, teksa e ka mposhtur me shifrat 0-2 në transfertë. Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura për të dyja ekipet.
Goli i parë u shënua nga Karlos Augustoja në minutën e 54-t, duke i dhënë Interit qetësinë e nevojshme në këtë sfidë delikate. Atalanta mori kontrollin e lojës, por pa mundur ta dërgonte topin në rrjetë. Duke përfituar nga dalja me karton të kuq e Edersonit, Interi arriti të dyfishonte shifrat në minutën e 87, kur Lautaro Martinezi vulosi shifrat përfundimtare me 0-2.
Zikaltrit kanë hedhur sot një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion. Tashmë Interi kryeson me 64 pikë të grumbulluara, ndërsa pas e ndjek Napoli me 61 dhe më pas Atalanta me 58 pikë./Sport Ekspres/