Kukësi ka qenë befasia e madhe në Kupën e Shqipërsë. Verilindorët kanë lënë mënjanë periudhën e vështirë që po kalojnë në kampionat, duke mposhtur sot Partizanin në “Arenën e Demave”. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin minimal 0-1 për Kukësin dhe Françesko Hasaj ishte autori i golit në mintën e 21-të të takimit. Duke qenë se ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me po të njëjtin rezultat në favor të Partizanit, ishte i nevojshëm zhvillimi i kohës shtesë.
Megjithatë, rezultati do të mbetet i pandryshuar edhe përgjatë 30 minutave në vazhdim. Mundësia e vetme për të shpallur fituesin ishin 11 metërshat. Nga pika e bardhë e penalltisë lojtarët e Kukësit u treguan më të saktë, duke eliminuar kështu Partizanin. Tashmë verilindorët janë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/