Shqipëria ka fituar bindshëm mbrëmjen e sotme kundër Jordanisë. Kuqezinjtë janë argëtuar në “Air Albania”, ku kanë marrë një fitore me shifrat 4-2. Skuadra nga Lindja e Mesme befasoi ekipin tonë kombëtar në minutën e 27, kur Al Rashdani e dërgoi topin në rrjetë. Por Shqipëria ktheu sërish baraspeshën gjatë pjesës së parë të lojës. Në minutën e 41-të Nedim Bajrami dribloi mjaft bukur në zonën kundërshtare dhe provoi pasimin për Dakun në zonë. Topi nuk mbërriti në këmbët e sulmuesit të Rubin Kazanit, por në këmbët e Abualnadit, i cili e dërgoi në portën e tij.
Ndërkohë kuqezinjtë përmbysën bindshëm rezultatin në pjesën e dytë të lojës. Armando Broja më në fund u çlirua nga ngërçi i gjatë i mosshënimit. Asllani dha një vertikalizim fantastik për Brojën në minutën e 65 dhe ky i fundit ia doli ta mposhtte lehtësisht portierin kundërshtar. Më pas 10 minuta më vonë prozhektorët u kthyen nga Arbër Hoxha. Lojtari i Dinamos së Zagrebit lëshoi të djathtën e tij nga distanca, duke realizuar një kryevepër. Në listën e golashënuesëve do të shtohej edhe Nedim Bajrami. Armando Broja bëri gjithçka mirë në krahun e djathtë dhe i dha një asisit të përsosur Bajramit, i cili në minutën e 79 shënoi golin e 4-t për Kombëtaren shqiptare. Ali Olvani ngushtoi shifrat në minutën e fundit të kohës së rregullt, por pa mundur të shmangte dot humbjen e Jordanisë./Sport Ekspres/