E FUNDIT/ Tirana i befason të gjithë me emrin e trajnerit, Vangjel Mile merr bardheblutë për 3 sezone

Tirana e ka vendosur trajnerin e saj të ri! Nga sot, bardheblutë e kanë një trajner në kryesim dhe ai do të jetë Vangjel Mile. Një emër që nuk ishte përfolur në media dhe i papritur, por kryeqytetasit i kanë dhënë besimin e madh Vangjel Mile, përtej CV të tij. Bardheblutë kanë vlerësuar shumë punën e bërë nga Mile si drejtor teknik i akademisë së futbollit Tirana, ndërsa tani me këtë detyrë që ka përgjegjësi më të madhe, Mile duhet të marrë maksimumin për thyer paragjykimet për të dhe për të dhënë emrin e tij në një detyrë që e ka për herë të parë.

“Zyrtare: Vangjel Mile emërohet trajner i parë i KF Tirana
Klubi i Futbollit Tirana njofton emërimin e Vangjel Mile si trajner i parë i skuadrës për tre sezone. Mile vjen në këtë detyrë pas një periudhe të suksesshme si Drejtor Teknik i Akademisë së Futbollit Tirana, ku ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e talenteve të rinj dhe ndërtimin e një filozofie të qëndrueshme loje.
Njohja e thellë me strukturat e klubit, filozofinë bardheblu dhe modelin e funksionimit të Akademisë i japin trajnerit Mile avantazhin për të ndërtuar një urë të natyrshme mes të rinjve dhe ekipit të parë. Objektivi i tij do të jetë jo vetëm rikthimi i skuadrës në krye të futbollit shqiptar, por edhe integrimi i elementëve të rinj me potencial, në përputhje me identitetin historik të KF Tiranës.

Mile është i njohur për qasjen e tij moderne ndaj stërvitjes, disiplinën taktike dhe aftësinë për të ndërtuar grupe të balancuara me frymë kolektive të fortë. Eksperienca e tij si strateg dhe drejtues teknik e bën zgjedhjen ideale për një projekt të qëndrueshëm dhe ambicioz.

“E ndjej veten pjesë të kësaj shtëpie dhe e marr këtë përgjegjësi me përulësi, por edhe me shumë besim. Njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivat e KF Tiranës,” – deklaroi trajneri i ri gjatë prezantimit.
Klubi i Futbollit Tirana i uron suksese trajnerit Vangjel Mile në këtë sfidë të re dhe është i bindur se rrugëtimi i përbashkët do të sjellë rezultatet që meriton familja bardheblu”. /Sport Ekspres/