Klubi Tirana ka reaguar përmes faqes së vetë zyrtare në “Facebook” në lidhje me lajmet e fundit që kanë qarkulluar në disa media vendore. Së fundmi është përfolur për një falimentim të klubit dhe se një zyrë përmbarimore kishte bllokuar aksionet e presidentit Refik Halili, për t’i nxjerrë ato në ankand.
Por klubi kryeqytetas e mohon një lajm të tillë. Zyra për shtyp e bardhebluve bën me dije se lajmet janë të rreme dhe dashakeqe për të prishur imazhin e klubit. Gjithashtu, KF Tirana njofton se do të ndjekë hapa ligjore për të sheshuar këtë situatë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
REAGIMI ZYRTAR I KLUBIT TIRANA
Klubi i Futbollit Tirana, nëpërmjet këtij reagimi, kërkon të sqarojë opinionin publik për një dezinformim të qëllimshëm, që është përhapur në media, për sa i përket falimentit të klubit! Ky lajm, është pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti, për të synuar tjetërsimin e aseteve të KFT.
Ju bëjmë me dije se ekipi ligjor dhe stafi i klubit, është në dijeni të plotë të këtij skenari dhe ka marrë të gjitha masat, për ta bllokuar dhe denoncuar në të gjitha instancat ligjzbatuese përfshirë dhe hapat ligjorë te ndjekjes penale.
Njëkohësisht, klubi thekson se këto janë çështje të cilat synojnë të dëmtojnë imazhin e Klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar se nuk ka asnjë problem likuiditeti.
Asnjë veprim abuziv dhe asnjë person, kushdo qoftë ai, nuk do mund të arrijë të realizojë skenarë që dëmtojnë interesat e Klubit të Futbollit të Tiranës si në aspektin administrativ, ashtu dhe në atë sportiv.
Sigurojmë të gjithë dashamirësit, tifozët, bashkëpunëtorët dhe partnerët, se Klubi i Futbollit Tirana, do të vazhdojë rrugëtimin e tij, për të arritur objektivat sportivë dhe se asgjë dhe askush, nuk mund dhe nuk do të cënojë ekzistencën, mbarëvajtjen apo edhe funksionimin e klubit.
Zyra për shtyp
KF Tirana