E gjithë vëmendja për ndeshjen kundër Serbisë, Silvinjo flet sot për rivalin e shqiptarëve 

Ndeshja me Serbinë po afron, emocionet gjithashtu. Është derbi i Ballkanit, derbi që do të ketë vëmendjen e të gjithëve, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe mbarë botës. Nata e Beogradit nuk harrohet lehtë, ajo që ndodhi ishte në kufijtë e së paimagjinueshëm dhe rivaliteti mbetet shumë i lartë nisur nga historia, që kurrsesi nuk duhet harruar, vetëm se duhet përdorur në favor. 

Nuk është vetëm një Shqipëri-Serbi, është një finale e Shqipërisë. Nëse për Serbinë kjo është ndeshja e parë dhe ata ashtu si ne dikur, ëndërronim se nga Anglia do të dilnim me një ose tre pikë, për ne këto ëndërra kanë marrë fund. Shqipëria ka dalë pa pikë nga Anglia dhe këtu u përjetua si “fundi i botës”, imagjinoni pak se çfarë mund të flitet në Serbi nëse humbin në transfertë me Anglinë. 

Por nuk është ky qëllimi, qëllimi është për të treguar faktin se nëse humbim apo barazojmë me Serbinë në shtëpi, kemi eliminuar thuajse çdo shans për të kaluar më tej në Botëror. Për të folur në lidhje me këtë kundërshtar, me qasjen sesi do të hidhet në fushë, por njëkohësisht edhe me emrat e rinj që mund të ofrojë në listën e nesërme, Silvinjo ka zhvilluar një intervistë me gazetarin Gerti Carcani në MCN TV, e cila transmetohet sot në 23:00. /Sport Ekspres/