Shqipëria do të luajë kundër Anglisë ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë do të përballen me “tre luanët” në një nga stadiumet më mitike të botës, në “Uembli”. Harri Kejni ka zbuluar pak nga ajo se çfarë e pret Shqipërinë mbrëmjen e nesërme. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut ka thënë në konferencë për shtyp se Tuheli i ka kërkuar lojtarëve që ta rifitojnë topin që në fazën e sulmit. Kejni është shprehur se e gjithë skuadra është gati për të ngazëllyer turmën e tifozëve që do të jenë të pranishëm në “Uembli”.
“Nuk dua të zbuloj formacionin ose detaje. Por kemi folur shumë për presingun kur humbim topin. Sidomos sulmuesit, ata kanë përgjegjësinë që të përpiqen ta marrin sërish sa më shpejt që të jetë e mundur. Do të përpiqemi të ndërtojmë sa më shumë, ta kemi topin sa më shumë në zotërim. Dhe në fund, të krijojmë shumë shanse. Kemi shumë lojtarë në formë të mirë. Mbrëmjen e nesërme do të jetë në dorën tonë për ta emocionuar turmën në ‘Uembli’. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por mendoj se të gjithë janë të emocionuar për të hyrë në stadium dhe për të treguar se mund t’ja dalim”, është shprehur Harri Kejni./Sport Ekspres/