Silvinjo bëri një befasi të madhe në formacionin ndaj Italisë teksa aktivizoi Ajetin në vendin e Ismajlit. Shqipëria kishte një nga mbrojtjet më të mira në kualifikueset e Europianit, me vetëm katër gola të pësuar. Megjithatë ndaj Italisë, Ajeti do të merrte vendin e Ismajlit. Për trajnerin Olitjon Kërnaja, i ftuar në Koha Shtesë, ky rezultoi një vendim jo i mirë. (Emisionin e plot e ndiqni në linkun më poshtë).
“Të them të drejtën, qendra e mbrojtjes ishte problem kundër Italisë. Nuk kanë luajtur bashkë Gjimshiti dhe Ajeti, nuk kanë luajtur bashkë fare, vetëm në miqësoret e fundit. Është problem kur reparti i mbrojtjes nuk është i konfiguruar, nëse nuk luajtën në harmoni dhe nuk kanë kohë bashkë. Sepse një kohë e vonuar e qendër mbrojtësit të mban gjithë mbrojtjen në linjë dhe do të detyrohesh të prishësh shkallëzimin linjën dhe kjo ishte.
Unë besoj se kundër Kroacisë do të jetë Ismajli dhe jo Ajeti. Silvinjo luajti me Ajetin ndaj Italisë për shkak të Skamakës, për ta marrë duelet një kundër një dhe Ajeti do t’i shkonte deri në fund duelit me Skamakën dhe është fanatik i këtyre dueleve. Besoj se do të jetë edhe Berisha në portë në vend të Strakoshës. Vërtet bëri disa ndërhyrje të mira me Italinë, por Kroacia bën shumë krosime nga krahët dhe këtë herë na duhet jo një portier i mirë në lojën një kundër një si Strakosha, por një portier që të dalë në krosime dhe të qetësojë zonën.
Shansin ynë është vetëm me Kroacinë. E kam thënë edhe më para që Kroacia është “rasti Bosnja”, nëse e mbani mend brezin e Bosnjes me Dzeko dhe shokë, luajtën 2 Botëror, 3 Europian dhe në Europianin e fundit ku ishin, nuk shënuan asnjë gol në grup dhe dolën se ishte mosha e tyre, ndërrimi i brezave. Një moment që është edhe Kroacia tani, në ndërrimin e brezave. Brozovic ka shkuar në një kampionat që nuk ka shumë ritëm, Kovacic nuk është në formë, Modric që është në moshë të madhe dhe kjo ndikon te Kroacia. Shpresoj që ndaj Kroacisë të jemi në maksimum dhe besoj se do të jetë një histori tjetër. E pamë ndaj Spanjës që kroatët vërtet e mbajtën topin, aq sa spanjollët e humbën qarkullimin e topit pas 12 vitesh, por e ka të parrezikshëm, e bëjnë në zonën e parë të tyre, jo të efektshëm. Presin Perisic që ka 6 muaj pa luajtur që të bëj ndonjë vertikalizim. Për mua ndeshja është kjo me Kroacinë, të rrezikojmë për ta fituar, nuk kemi çfarë humbasim më po nuk rrezikuam as këtu. Atëherë na ngelet…”Faleminderit për pjesëmarrjen”, tha Kërnaja. /Sport Ekspres/