Egnatia është në finale. Rrogozhinasve u ka mjaftuar një barazim 0-0 përballë Partizanit për të arritur në finalen e “final four”-it. Ndeshja e luajtur në “Arenën Kombëtare” ka përfunduar me rrjeta të paprekura, pavarësisht përpjekjeve nga të dyja skuadrat. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.
Tetova (Egnatia): “Jam i lumtur. Një kampionat i gjatë me 36 javë në vendin e parë. E merituam. Për lojën kam pak rezerva. Te rasti i Lushkjas në fillim, duhet të kishte pasuar. Duhet ta kishim në shënuar atë rast. Në pjesën e dytë ishte manovër me bllok të mesëm për të shfrytëzuar tranzicionin pozitiv. Guindo nuk e ka fituar vendin e titullarit, sepse të dy (Bakajoko) janë lojtarë të mrekullueshëm. Janë edhe shokë bashkë. Në këto dy ndeshje më është dashur më shumë Guindo, në finale do të shoh se kë do të vendos. Është një ndeshje finale. Do të jetë një ndeshje e bukur, sepse edhe ata kërkojnë të fitojnë. T’ja lëmë fushës se cili do të fitojë”./Sport Ekspres/