E nisi në lagje me shokët, mesfusha e Kombëtares ka besën e Vesa Paçarizit: Dua t’i jap gjithçka Shqipërisë time

Ka mbi 10 vite që luan futboll dhe nuk e ka menduar kurrë të tërhiqet nga ky sport, pavarësisht të gjitha pengesave që i është dashur të kalojë gjatë kësaj periudhe. Vesa Paçarizi, vetëm 19 vjeçe është një nga mesfushoret më me perspektivë në ekipin Kombëtar të vajzave.

Gjithçka ka nisur në moshën 9 vjeçare, kur Vesa luante futboll me shokët e saj të lagjes në Kosovë. Ashtu sikurse shumë vajza të tjera të moshës së saj, zgjidhjen e ka gjetur duke u regjistruar në një ekip djemsh, ndërsa më pas është aktivizuar me ekipin e Malishevës, ku luan edhe sot e kësaj dite. Edhe pse ende e re, mbi kurriz ka shumë eksperiencë, teksa e huazuar tek ekipi i Hajvalisë, ka përjetuar edhe emocionet e kualifikueseve të UEFA Women’s Champions League. Sot është edhe pjesë e Kombëtares shqiptare. Ekipi kombëtar U-19 shërbeu si trampolinë për Vesën, që tregon se kur ka marrë ftesën nga FSHF për të përfaqësuar Shqipërinë, nuk e ka besuar se ëndrra e saj më e madhe ishte tashmë një realitet.

Fanse e flaktë e Lionel Messit, mesfushorja kuqezi rrëfen për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org rrugëtimin e saj në botën e futbollit, teksa ka edhe një mesazh për të gjitha vajzat që duan t’i bashkohen këtij sporti.

-Çfarë të ka shtyrë të përfshiheshe në botën e futbollit? Sa vjeçe ishe kur nise të luaje?

– Kam rreth 10 vite që luaj futboll, që në moshën 9-vjeçare. Në fillim luaja në lagje me shokët e mi dhe pastaj vendosa së bashku me familjen që të regjistrohem në ekipin e djemve të FC Malisheva.

-Na trego pak për hapat e tua në karrierë Vesa, si vazhdoi gjithçka ? Çfarë ndodhi pasi u regjistrove në këtë ekip ?

– Siç e thashë, ishte pikërisht FC Malisheva ekipi ku unë nisa të luaj fiks futboll. Deri përpara se të regjistrohesha aty sigurisht që luaja si një amatore, si një vajzë e apasionuar dhe që e do futbollin. Te ky ekip mësova vërtetë se çfarë është futbolli, mësova si luhet, rregullat, disiplinën. Për plot dy vite jam stërvitur me ekipin e djemve. Se si luhet vërtetë një ndeshje e mësova pasi kalova tek ekipi i vajzave të FC Malishevës. Të them të drejtën kam punuar shumë fort, kam sakrifikuar shumë gjëra nga adoleshenca ime për futbollin, por jam e lumtur sepse jam kaq e re dhe ia kam dalë të luaj jo vetëm me FC Malishevën, por edhe me ekipin e Hajvalisë, duke marrë pjesë edhe në kualifikueset për UEFA Champions League. Dhe sigurisht qershia mbi tortë është grumbullimi me Kombëtaren.

– Sa të vështirë është për ty të merresh edhe me futbollin, edhe me shkollën, edhe të dalësh me shoqërinë. Si e bën këtë ndarjen? Ke ‘hequr dorë’ nga shkolla për futbollin?

– Nëse do të thoja që është e lehtë, do të gënjeja. I kam kushtuar shumë kohë futbollit, më shumë sesa shkollës. Ishte një periudhë që mendoja vetëm për futbollin. Akoma e bëj. Por, studimet nuk i kam lënë pas dore, kam hequr dorë nga një shëtitje me familjen apo shoqërinë, por kurrsesi nga shkolla apo futbolli. Gjej kohën t’i alternoj dhe t’i bëj të dyja.

-Për vajzat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ty si ka qenë? Kush të ka mbështetur më shumë? Familja? Shoqëria? Kush ka qenë më shumë skeptik në familje, mami apo babi?

– Është shumë e vërtetë që nuk është e lehtë për vajzat të merren me futboll, por për fatin tim të mirë kam prindër të mrekullueshëm dhe shumë mbështetës karshi meje. I kam kaluar të gjitha pengesat falë përkrahjes së tyre. Ata e dinin se sa e doja unë futbollin që në fëmijërinë time dhe besuan që një ditë unë do t’ia dal dhe do të bëhem dikush në futboll. Falë tyre nuk e mendova kurrë të tërhiqem nga ky sport. Sot janë krenarë me mua, ashtu sikurse edhe unë jam për ta. Për prindërit e mi që m’u bënë shokë atëherë kur unë kisha vërtetë nevojë të ishin mirëkuptues dhe të besonin ëndrrën time.

– Ke ndonjë idhull, futbollist apo futbolliste që të motivon?

– Nuk do të thoja idhull, por jam fanse e flaktë e Lionel Messi. Është një model që duhet ndjekur në futboll dhe është lojtari im i preferuar.

-Sa ka ndikuar futbolli te ty, në çdo aspekt të jetës? Të kanë parë ndryshe apo diçka tjetër?

– Jo, nuk ka ndryshuar asgjë. Përkundrazi, futbolli ka ndikuar në mënyrë pozitive tek unë. Kam më shumë shoqëri, kam një jetë të shëndetshme. A është larguar shoqëria ime nga unë? Absolutisht që jo. Kanë qenë dhe vijojnë të jenë shumë krenarë me Vesën, shoqen e tyre që luan futboll.

-Ti je pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ty? Çfarë emocionesh të jep të luash për Shqipërinë?

– Krenare. Me një fjalë, nuk di si ta them ndryshe që jam shumë krenare që jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe luaj për ngjyrat kuqezi. Jam e lumtur dhe për mua është tepër e rëndësishme që të jem pjesë e Shqipërisë dhe të jap kontributin tim për ekipin tim të zemrës. Gjithmonë ndjej emocione kur marr ftesën për të përfaqësuar Kombëtaren shqiptare, qoftë kjo ftesë nga ekipi i moshave apo ekipi A.