“E pabesueshme ajo që i bëjnë arbitrave në Spanjë”! Fliku i merr në mbrojtje pas akuzave nga Reali: Ia hedhim fajin arbitrave kur humbim

Arbitrat kanë qenë në qendër të kritikave nga ana e Realit të Madridit. Klubi spanjoll ka shprehur shpesh akuza për gjyqtarët, duke pretenduar për vendime të njëanshme në dëm të tyre. Por në mbrojtje të arbitrave ka dalë së fundmi Hansi Fliku. Trajneri i Barcelonës ka deklaruar sot në konferencë për shtyp se të gjithë gabojnë dhe se komuniteti i futbollit duhet t’i mbrojë gjytarët, por jo t’i akuzojë ata.

“Ajo që po bëjnë tani me arbitrat në Spanjë është e pabesueshme. Duhet të mendojmë edhe për familjet e tyre. Të gjithë kryejmë gabime. Të gjithë. Përgjegjësia e trajnerëve dhe gjithashtu e lojtarëve është që t’i mbrojnë ata (arbitrat). Të përdorim energjinë tonë për të debatuar me ta? Jo. Arbitri i merr vendimet dhe në të shkuarën nuk kishte VAR. Por tani kemi VAR-in dhe duhet të besojmë te ta. Janë njerëz dhe është normale që të bëjnë gabime. Gjithmonë kërkojmë justifikime kur humbim, kështu që bëjmë fajtor arbitrat”, ka deklaruar Hansi Fliku./Sport Ekspres/