E pabesueshme se ç’ndodh në Serbi para Anglisë, Shqipëria i bën që t’u neveritet edhe Kombëtarja

Shqipëria i ka dhënë një goditje të madhe knock out-i Serbisë! Pak ditë më parë përjetuam fitoren më të madhe të viteve të fundit pasi kuqezinjtë fituan 0-1 kundër Serbisë në transfertë. Një fitore që ndoshta nuk shijoi plotësisht për ne pasi ishte në tokën tonë, në Leskovac dhe do të ishte akoma më e bukur nëse do të vinte në mes të Beogradit.

Megjithatë mbetet padyshim një prej fitoreve më të madhe në vitet e fundit dhe historinë e Shqipërisë teksa falë atyre tre pikëve, jo vetëm jemi rikthyer në rrugën e kualifikimit për në Botëror, por njëkohësisht jemi fare pranë kalimit si vendi i dytë për në fazën e Play Off-it. Shqipëria do të luajë sot në mbrëmje kundër Andorrës, ndërsa nga krahu tjetër, Serbia do të përballet kundër Anglisë në transfertë. Matematikisht nuk është mbyllur ende asgjë pasi një pikë e Serbisë kundër Anglisë do të zhvlerësonte fitoren sot të Shqipërisë, që nëse do të ishte minimale kundër Andorrës, atëherë do të ishim më pranë vendit të tretë sesa të dytë.

Ajo fitore e madhe e Shqipërisë kundër Serbisë mund të themi pa frikë se ishte goditja e fundit për armiqtë tanë të përjetshëm. Koha Shtesë ka vënë re një detaj shumë të veçantë pasi ka parë të gjitha mediat sportive në Serbi. Kur jemi në ditën e ndeshjes Angli-Serbi dhe është treni i fundit për serbët, askush prej mediave serbe nuk po shkruan më për ekipin kombëtar. Kjo është padyshim arritja më e madhe e Shqipërisë që i ka bërë mediat dhe tifozët në Serbi, që t’u neveritet Kombëtarja e tyre, aq sa vetëm pak orë përpara një ndeshje të madhe si ajo kundër Anglisë, askush nuk është i interesuar të ndjekë më zhvillimet për Kombëtaren.

Që pas asaj humbje me Shqipërinë, të gjithë janë të zhgënjyer nga Serbia në këtë vend dhe nuk dëshirojnë më që të lexojnë lajme rreth ekipit të tyre. Nëse futeni në faqen e parë të Kurir do të gjeni vetëm një lajm rreth stadiumit të ëembley dhe konferencës së trajnerit të Serbisë, ndërsa të gjithë lajmet e tjera janë të dedikuara për basketbollin, për Lionel Messin dhe çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë direkt me ndeshjen Angli-Serbi. Një situatë thuajse e ngjashme paraqitet edhe me Sportklub që pavarësisht se ka dërguar një gazetar për të ndjekur zhvillimet nga afër, në pasqyrimin e saj zënë vend më shumë lajmet rreth çështjeve të tjera sesa rreth ekipit kombëtar. Duket qartë se askush në Serbi nuk beson se Kombëtarja e tyre do të bëjë një befasi të madhe me Anglinë sot dhe janë dorëzuar totalisht që pas asaj humbje me Shqipërinë. /Sport Ekspres/