E pyesin si arrin ta ruajë qetësinë në prag të finales, batuta e Xhakës: Na marrin gjak çdo mëngjes, nuk ndjejmë më

Granit Xhaka ishte i pranishëm në konferencë për shtyp përkrahë trajnerit Alonso dhe kapitenit Tah. Mesfushori shqiptar ka folur në prag të finales së Euroape League-s kundër Atalantës, e cila luhet nesër në mbrëmje duke nisur nga ora 21:00. Xhaka ka theksuar se Bundesliga dhe Europa League ishin dy objektivat e klubit të tij, ndërsa në fund nuk mungoi një batutë në lidhje me menaxhimin e qetësisë në prag të një dueli kaq të rëndësishëm.

“Objektivi jonë i parë ishte të fitonim Bundesligën. Objektivi jonë i dytë është ai i mbrëmjes së nesërme. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’u kthyer në Leverkusen me trofeun e Europa League-s. Si jemi kaq të qetë përpara finales? Na marrin gjak çdo mëngjes, kështu që nuk ndjejmë më gjë”, është shprehur Granit Xhaka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/