“E thotë Anglia, kemi 30 vite pa parë një si Armando Broja”! Starova: Më para rrinte vetëm te Kombëtarja, tani shoqërohet me të gjithë 

Mustafa Nano ka bërë një emision në MCN, Arnautistan, që këtë herë është ndalur te tema e Kombëtares dhe i ftuari i tij ishte Starova. Teksa po bënin diskutimet dhe analizat e tyre rreth ndeshjeve të Shqipërisë, Mustafa Nano ka treguar edhe një sekret të tijin personal, duke qenë një nga shqiptarët e shumtë që ka bërë të njëjtën gjë dhe ka të njëjtin përjetim dhe dilemë në kokë, nëse Armando Broja do të bëhet lojtari më i mirë që kemi pasur në historinë tonë apo rruga e tij do të ndalet para kohe.  

Dëmtimet i kanë prishur shumë punë këtij lojtari që dikur ngrinte në këmbë të gjithë tifozët e Shqipërisë me spektaklin e tij, por në kohët e fundit duke përjashtuar disa shpërthime hera-herës që shfaq të gjithë potencialin e tij, nuk po rikthehet në formën e dikurshme. 

“Po nxjerr një sekret timin, unë u dashurova aq shumë me Armando Brojën kur e pashë për herë të parë, aq sa më mbrapa e kam ndjekur në cdo ndeshje që ka luajtur, qoftë edhe 5 minuta apo 2 minuta, nuk kam lënë ndeshje të Brojës pa parë. Kam ndjekur edhe kartelën e tij shëndetësore, mjekësore, jam futur në ëeb-et angleze. Hera e parë që e them publikisht këtë, kaq shumë i apasionuar kam qenë pas tij, dramat e tij ishin edhe të miat, kur ulërinte në fushë në dëmtime. Mu thaftë goja, por kam një frikë që ai nuk bëhet më”, tha Mustafa Nano.  

Nga ana tjetër, Starova tha: “Është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm. E kanë thënë në Angli, kemi 30 vite pa parë një lojtar si Broja që të jetë i gjatë, të ketë karakteristikat e tij, të jetë i fuqishëm dhe të jetë kaq i shpejt, kaq shpërthyes. Por futbolli është një lojë kolektive në fakt, është grup. Nuk duhet të jesh i mirë vetëm në një kundër një dhe në mbajtjen e topit, por të punosh edhe në lojën pa top, të hapësh hapësira për shokët e ekipit, pra është më shumë sesa kaq dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kanë kaluar 4 vite në të njëjtën gjendje, ne urojmë që Broja të reagojë dhe të kthehet atje ku të gjithë ne e presim. Në kohën e Rejës, Broja rrinte vetëm, nuk shoqërohej me të tjerët, ndërsa tani është më i pjekur, nuk ka probleme të këtij lloji, shoqërohet me të gjithë djemtë e tjerë të Kombëtares, është në harmoni të plot me ta”, tha Starova. /Sport Ekspres/