E trishtë/ Futbollit shqiptar i ikën një legjendë, reagon edhe Armand Duka për ndarjen nga jeta të Sabah Bizit

Futbollit shqiptar i ikën një legjendë, Sabah Bizi nuk është më mes nesh. Legjenda e futbollit tonë ka ndërruar jetë, por vepra e tij janë pjesë e historisë që nuk do të fshihen kurrë. Kreu i FSHF, Armand Duka, ka reaguar duke treguar gjithë hidhërimin e përjetuar në këtë rast.

“Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi, një emër i madh që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit tonë.

Si një ndër ikonat e Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, ai debutoi në futbollin shqiptar në moshë të re dhe u bë simbol i talentit dhe përkushtimit. Përballja e tij me Franz Beckenbauer në ndeshjen historike kundër Gjermanisë në vitin 1967, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç, është dëshmi e madhështisë së tij në fushën e blertë.

Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, Sabah Bizi fitoi tituj kampionë dhe kupa, duke i dhënë futbollit shqiptar momente krenarie dhe emocionuese. Edhe pas lënies së futbollit aktiv, ai i qëndroi pranë sportit të zemrës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e brezave të rinj si trajner dhe drejtues.

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit të futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bizi, të afërmve dhe miqve të tij. Futbolli shqiptar humbi një legjendë të vërtetë, por trashëgimia e tij do të mbetet përjetë frymëzim për brezat e ardhshëm.

Pusho në paqe legjendë!”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/