“Edhe 100 herë të tjera do ta lija jashtë Dembelenë”, trajneri i PSG-së flet pa doreza: Edhe me të në fushë kemi humbur ndaj Milanit, Barcelonës, Njukastëllit

Luis Enrike ka folur pa doreza në konferencën për shtyp në prag të sfidës kundër Arsenalit në Ligën e Kampionëve. Trajneri i PSG-së ka lënë jashtë skuadrës Osman Dembelenë, duke shkaktuar një kureshtje të madhe mediatike. Pyetjet rreth kësaj teme kanë qenë të shumta dhe Luis Enrike e ka lënë mënjanë diplomacinë. Ai ka deklaruar se lojtari nuk ka respektuar detyrimet që ka ndaj ekipit dhe se është i bindur që ka marrë vendimin e duhur. Madje, ka theksuar se PSG-ja ka humbur ndeshje delikate edhe me Dembelenë në fushë.

“Nëse dikush nuk respekton detyrimet dhe kërkesat e ekipit, kjo do të thotë që nuk është gati. Në një javë kaq të rëndësishme me një ndeshje kaq të rëndësishme që po vjen, i dua lojtarët të jenë në gjendjen më të mirë të mundshme. Kështu që e kam lënë jashtë. Nuk ishte një vendim i lehtë. Dje duhet të merrja një vendim të vështirë duke lënë Dembelenë jashtë skuadrës, por pa dyshim që mendoj se ishte vendimi më i mirë. Do ta bëja edhe 100 herë të tjera. Kjo nuk do të thotë që situata është e pakthyeshme.

Nuk ka asgjë për të shtuar rreth kësaj teme. Mendoni se nuk kemi humbur kurrë kur ka luajtur Dembeleja? Jo. Kemi humbur kundër Njukastëllit, Milanit, në shtëpi kundër Barçës”, ka deklaruar Luis Enrike./Halit Delibashi-Sport Ekspres/