Kjetil Knutseli është pranë arritjes së një rezultati historik. Trajnerit të Bodo/Glimtit i duhet të administrojë fitoren 3-1 të marrë një javë më parë kundër Interit për t’u kualifikuar në 1/16-at e Ligës së Kampionëve. Në kampin zikaltër listuan fushën sintetike si shkaktare kryesore për disfatën e pësuar, por trajneri i ekipit norvegjez e sheh këtë argunent thjesht si një justifikim.
Knutseli është shprehur se Mançester Siti nuk e përmendi asnjëherë fushën si alibi. Për më tepër, ai shtoi se edhe Bodo/Glimti nuk është mësuar të luajë në stadiume si “San Siro”, por ky nuk mund të jetë një justifikim për rezultatin.
“Nuk mund të bëj asgjë për këtë. Mendoj se duhet të përqendrohemi në atë që mund të kontrollojmë. Siti as nuk e përmendi fushën. As ne nuk jemi mësuar të luajmë në “San Siro”, por unë po e mbaj fokusin tim diku tjetër. Nuk mendoj se është e zgjuar të flasësh për diçka tjetër përveç futbollit, por ajo që bëjnë të tjerët nuk është e rëndësishme për mua.
Para së gjithash, lojtarët e Bodos kanë shumë energji dhe mund të luajnë shumë role. Mund të ketë një zjarr brenda tyre, dhe unë duhet ta bashkoj këtë identitet. Të luash në një stadium historik si “San Siro” është një dhuratë, por duhet të jesh gati ta pranosh atë”, ka thënë Kjetil Knutseli./Sport Ekspres/