Edhe një sforco për të provuar ëndrrën e Botërorit, Shqipëria i luan të gjitha në Air Albania me sytë nga një dhuratë

Koha e Kombëtares po afron gjithmonë e më shumë, teksa në datën 9 shtator, Shqipëria do të luajë ndaj Letonisë në Air Albania. Një ndeshje që mund të mos ngrohi shumë duke parë emrin e kundërshtarit, por ishte kjo mënyra sesi ne e devijuam tërësisht rrugën e kualifikimit të Botërorit.

Kjo pasi nga ky nënvlerësim nuk dolëm më shumë se me një pikë nga transferta e Letonisë. Në kryeqytetin tonë fitorja mbetet detyrim si e vetmja mundësi për të shpresuar deri në fund te historia.

Por deri aty do të kemi nevojë edhe për një dhuratë të vogël që ta mirëpresim me duartrokitje Letoninë pasi tre ditë para se të mbërrijë në Tiranë, Letonia do të pres në shtëpi Serbinë. Nëse ky kundërshtar do t’i marrë pikë Serbisë ashtu si edhe Shqipërisë, atëherë festa në Tiranë do të jetë edhe për kundërshtarin.

Gjithsesi, përtej historisë sesi do të dalë ai takim, Letoni-Serbi, në Tiranë duhet të ketë vend sërish për festë dhe duartrokitje. Kjo ndeshje e 9 shtatorit do të luhet me një pjesë të stadiumit të boshatisur si një dënim i ardhur nga organizmat më të lartë të futbollit për shkak të sjelljes jo të duhur të disa tifozëve, koreve dhe fishekzjarreve të hedhura në fushë. Në këtë moment, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për shqiptarët, pa na bashkuar kundërshtari, por Kombëtarja. /Sport Ekspres/