Egnatia ka debutuar me humbje në turin e parë kualifikues në Champions League. Një mbrëmje e vështirë për rrogozhinasit, të cilët e përfunduan ndeshjen me 9 lojtarë. Zejnullai la skuadrën me një lojtar më pak që në minutën e 58 të takimit, duke ia vështirësuar lojën kampionëve të Shqipërisë.
Megjithatë, goli i Borac Banja Lukës erdhi vetëm në minutën e 96, kur Hrelja e dërgoi topin në rrjetë. Vetëm 5 minuta më vonë Edison Ndreca u ndëshkua me karton të kuq për një goditje dënimi të shkaktuar në hyrje të zonës si lojtari i fundit që ndali aksionin. Në fund boshnjakët fituan minimalisht 1-0, çka e lë kualifikimin të hapur për në ndeshjen që do të luhet një javë më vonë në Shqipëri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/