Në ditën e sotme janë zhvilluar dy ndeshjet e para sa i përket takimeve të Superiores. Vëmendja kryesore ishte e përqendruar te takimi mes Egnatias dhe Elbasanit. Djemtë e drejtuar nga Tetova fituan në shifrat 3-1, duke marrë tre pikë me shumë vlerë karshi një rivali që ka objektiva të larta në këtë sezon.
Goli i parë i ndeshjes u shënua nga Lushkja në minutën e 10. Ndërkohë Lajthia barazoi për Elbasanin vetëm 11 minuta më vonë. Kështu do të mbyllej pjesa e parë, pa fitues. Pjesa e dytë kishte jo pak raste, por vetëm në dy momente do të konkludohej me gol kur ishte sërish Lushkja që u shndërrua në heroin e Egnatias, duke tundur sërish rrjetën në minutën e 76. Ndërkohë në minutat shtesë, Yahaya ka mbyllur historinë e takimit.
Nga krahu tjetër Laci arriti të fitonte kundër Skënderbeut në shifrat 1-0. Goli i vetëm i ndeshjes u realizua nga ana e Koffit në minutën e 27 dhe kaq mjaftoi për të marrë tre pikët. Mund të thuhet se Laci e ka kaluar dy herë Skënderbeun, njëherë me fitoren në ndeshjen e sotme dhe njëherë me pozicionin në renditje, duke e lënë pas vetes. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “RTSH Sport”:
Tetova: “Kemi fituar kundër Elbasanit, në fillim nuk kishim mirë me ritmin e ndeshjes. Në mesfushë ishim në markimin tek për tek me lojtarët e Elbasanit, por në pushim i thashë lojtarëve që të provonin zonat boshe. Jam i kënaqur me atë që bëri ekipi. Nuk më vjen mirë për golin që pësuam, me pak kujdes anashkalohej. Rama bëri një ndeshje të mirë dhe dha asistin. Ka ende shumë ndeshje, do të jemi edhe më mirë”.