Shqipëria ka bërë detyrën mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë e Silvinjos kanë mposhtur pastër 3-0 Lihtenshtajnin në takimin e parë miqësor në prag të Kampionatit Europian Gjermani 2024. Një ndeshje e dominuar nga ekipi ynë kombëtar, që gjeti rrugën e rrjetës me anë të Brojës, Asanit dhe Muçit. Pas përfundimit të ndeshjes protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Kuq e Zi” në “Supersport”.
Muçi: “Ndihem shumë mirë me mënyrën si luajmë. Jam i shënuar që shënova. Në skemën tonë më pëlqen të luaj majtas ose mbrapa sulmuesit. Çdo lojtar ka egon e tij të fillojë nga fillimi. Por është Kombëtarja. Çdo lojtar duhet të sakrifikojë. Nëse trajneri thotë në stol, apo në tribunë, lojtari duhet ta bëjë. Por egoja e lojtarit është që të fillojë nga fillimi”.
Asllani: “Po të më bëjë stafi ca pyejte për shokët e skuadrës (te Interi) do t’i përgjigjem. Por të gjithë i njohim lojtarët e Italisë. Është një ndeshe që me zor po presim ta luajmë. Nëse do të ketë nevojë skuadra për ndonjë top të gjatë, do ta jap dhe shpresoj të jetë asist. E dimë që Europiani nuk vjen çdo vit. Këto ndeshje na duhen për të na vënë benzinë në këmbë ne që luajmë më pak. Unë jam 22 vjeç dhe sa herë më jepet shansi të hyj në fushë duhet të jap diçka. E falenderoj sa herë trajnerin Silvinjo që edhe me pak minuta më ka future në fushë. ”.
Broja: “Gjërat me klubin nuk shkojnë gjithmonë siç do ti. Por e vendos trajneri dhe nuk ke çfarë t’i bësh. Por kur vij këtu kam një emocion tjetër. Këtu luaj ashtu si dua unë, futbollin që më pëlqen. Kur je i qeshur dhe argëtohesh në fushë luan futboll më të bukur. Gjithmonë kam qenë gati. Trajneri zgjedh ekipin dhe unë vetëm jap maksimumin. Jam këtu për të ndihmuar ekipin me gola, me asiste me performanca të mira. Jam sulmues dhe sulmuesi këtë detyrë ka, për të shënuar sa më shumë gola. Për këtë jam këtu. Shpresoj që Zoti të më ndihmojë mua që të shënoj sa më shumë për Kombëtaren. Jam shumë mirë nga ana fizike. Kam punuar edhe vetëm për të qenë në formën maksimale. Besoj se kam kthyer si para dëmtimit. Sapo u ktheva, të gjithë çunat ishin shumë të mirë me mua. Kemi shumë skuadër të bukur dhe të fortë. Shkojmë të gjithë mirë bashkë. Edhe jashtë stërvitjes rrimë të gjithë bashkë. Trajneri na ka bashkuar si ekip. Luajmë edhe për tifozët. Sa herë vij këtu më japin një dorë për të më mbështetur. I falenderoj të gjithë shqiptarët”.
Asani: “Këtu në Hungari kam luajtur disa vite dhe jam ndjerë shumë mirë. Stafi në Kombëtare më ka ndihmuar shumë. Pavarësisht se nuk kam luajtur shumë me klubin, jam stërvitur maksimalisht për të kapur formën për Europianin, por edhe për miqësoret. Na pret një rrugëtim i vështirë. Çdo ndeshje është e vështirë, si miqësore, si kualifikuese. Ne japim maksimumin për këtë fanellë që të marrim 3 pikët, ose një fitore në miqësore që na ngre moralin. A do i gjuaj unë gjithmonë goditjet e dënimit? Nuk e di, e vendos stafi. Ne jemi një familje e madhe dhe kushdo që e merr përsipër të gjuajë duhet të shënojë dhe të na japi tre pikët. Jemi një grup shumë i fortë. Po përgatitemi shumë me stafin dhe besoj se do të bëjmë gjëra të mira. Na pret një ndeshje shumë e madhe kundër Italisë. Kush do jetë në fushë do të japi maksimumin për këtë fanellë, sepse është shumë e rëndë. Muçi më falenderoi për golin”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/