Ekskluzive/ Ishte dëshira e Ilir Dajës, Dinamo firmos me “Pipo Inzaghin” e Kategorisë së Parë 

Dinamo i është futur punës në merkaton e verës për të gjetur elementet e duhur për të konkurruar sërish në Superiore për titullin kampion, por puna dhe detyra për t’u mbyllur në fillim është Europa. Kualifikimet nga Ilir Daja ndodhin shpesh dhe te kryeqytetasit besojnë te magjia e këtij trajneri, te e kaluara e tij. 

Përpara se të fillojnë të fitojnë nga Europa, Dinamo do të fitojë fillimisht nga lojtarët që kanë spikatur në këtë sezon, me listën që kryesohet nga Zabërgja. Dhe për të plotësuar mungesat e lëna, një vështrim hidhet edhe për blerjet. 

Sipas informacioneve të Sport Ekspres, Dinamo e ka arritur marrëveshjen me sulmuesin e Burrelit, Florenc Ferruku. Ky futbollist ka shënuar 15 gola në Kategorinë e Parë këtë sezon dhe quhet ndryshe si “Pipo Inzaghi” për stilin e tij të lojës. Të gjendesh në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, në mënyrë të përsëritur, nuk është më fat, por aftësi. Ferruku është aty gjithmonë për të shtyrë topin drejt rrjetës, ndërsa këtë aftësi të tij nuk e la pa e parë Ilir Daja, që e afroi menjëherë në ekip. /Sport Ekspres/