Shqipëria nuk e nisi aspak mirë aventurën e saj në Europianin e Gjermanisë. Menjëherë pas ndeshjes, Silvinjo ishte po i njëjti dhe për këtë meriton shumë duartrokitje dhe lëvdata. Shumë ngritën dyshimet se ajo fytyra e buzëqeshur e Silvinjos gjithmonë pas ndeshjeve, se mbështetja e madhe që i jepte lojtarëve dhe se mungesa e ironisë në përgjigjet e tij lidhej vetëm me faktin se nuk ishte sprovuar me një moment të vështirë, por ja ku erdhi dhe trajneri ishte po i njëjti.
Për fatin e keq, ky moment erdhi në Europian kundër Italisë dhe jo në kualifikuese. Menjëherë pas ndeshjes, Silvinjo i doli në mbrojtje lojtarëve dhe nuk i hodhi poshtë ata. “Ndeshja shkoi sipas imagjinatës time, nëse do të bëhej goli i Manajt, do të kishte ndryshuar gjithçka. Por kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Ajo “fikja” jonë në 20 minutat e para erdhi nga emocionet, vetëm nga emocionet. Është një tjetër gjë kur ti i tregon lojtarit se çfarë është të luash në Europian dhe tjetër kur ai e provon vetë atë ndjesi. Prandaj unë kam thënë gjithmonë që duhet të shkojmë me Shqipërinë në Europiane dhe Botërore, që të mësohemi të luajmë në këtë turne”, tha Silvinjo në fjalën e tij.
Megjithatë shqiptarët e kanë vënë re faktin se në Europianin e Francës ku ishim madje edhe për herë të parë, kemi një zhvilluar një lojë më të mirë se tani kundër Italisë, përtej rezultatit të marrë dhe faktit se këtë herë, ishim më afër marrjes së pikës që në ndeshjen e parë. Pra në këto fjalë të Silvinjos dallohet qartë një mburojë e ngritur prej tij për të mbrojtur ekipin nga kritikat, për sa kohë jemi ende në garë dhe mbi të gjitha, do të luajmë finalen e madhe kundër Kroacisë ku me një tjetër humbje, dalim zyrtarisht nga gara dhe zerojmë shpresat për kualifikim më tej.
Por çfarë ka ndodhur në prapaskenë? Sipas burimeve tona ekskluzive, Silvinjo ka pasur një bisedë me lojtarët në fundin e pjesës së parë. Pasi pa se situata mori për keq dhe ishte e pamundur që të ndryshohej ashtu siç ai dëshironte, Silvinjo kishte vetëm një kërkesë për futbollistët e tij: “Mos pësoni gol tjetër”. Pra një kërkesë për të qëndruar të vëmendshëm deri në fund dhe për t’u mos hedhur në aventurë, duke qenë koshient se një rast do t’i dilte Shqipërisë për të barazuar rezultatin apo edhe duke besuar te magjitë e distancës, që këtë herë na lanë në baltë. Por nga ana tjetër kjo kërkesë e Silvinjos tregon hapur frikën e tij të madhe që nënkupton faktin se ndeshja i doli tërësisht nga planet dhe nuk ishte ajo që ai kishte menduar.
Rasti erdhi, por Manaj nuk arriti dot të dërgonte topin në rrjetë. Gjithashtu ashtu siç ne mësojmë, pritet një “tërmet” dhe shkundje e fortë kundër Kroacisë pasi te formacioni i Shqipërisë do të ketë shumë ndryshime. Nëse kjo do të ndodh, tregon qartësisht faktin se Silvinjo është zhgënjyer nga shumë lojtarë dhe ndeshja nuk shkoi ashtu siç ai planifikoi, por në deklaratë duhet të mbronte skuadrën dhe jo ta nxirrte në tabelë qitje.
Madje trajneri ynë kishte studiuar me detaje të gjithë lojtarët e Italisë, një për një dhe dinte qartësisht mënyrën sesi ata do të silleshin, por në fund, në fushë janë futbollistët që interpretojnë takimin. Ndërkohë sipas asaj që kemi mësuar pritet që kundër Kroacisë të ketë shumë ndryshime sa i përket formacionit titullar, Silvinjo këtë herë do të guxojë, gjithçka për gjithçka.
Sa i përket mbrojtjes, ka shumë gjasa që Elseid Hysaj të ulet në stol pas performancës së fundit dhe presionit të madh që ka marrë me kritikat e shumta, aq sa u detyrua të mbyll edhe rrjetet sociale. Ndërkohë në vendin e tij, mund të luajë edhe Ismajli. Taulant Seferi duket se ka pak gjasa për ta nisur titullar, ndërkohë që pritet freski në sulm për të ulur në stol Brojën dhe për të provuar nisjen me Manajn ose Dakun. Nga krahu tjetër pritet që si titullar në fushë të hidhet edhe Qazim Laçi. Ndërkohë është edhe Jasir Asani që ndien disa shqetësime pas atij dëmtimi të fundit të kaluar dhe mund të ketë edhe për të pak qetësim dhe rezervim energjish. Kjo është situata në kampin kuqezi, mes një rrokade të madhe për një shpresë që zjarri të mbahet i ndezur dhe të mos largohemi nga Gjermani me vetëm…5 ditë turne. Një gjë është e sigurt, ndeshja Shqipëri-Kroaci do të jetë për njerëz me zemër të fortë. /Sport Ekspres/