Etnik Brruti është kthyer në çështje të madhe dhe është vendosur në presion në Kosovë pasi zgjedhjes së tij për t’u larguar nga dardanët U-21 dhe për t’u afruar te Shqipëria A. Lojtari i Malishevës është pajisur dje me pasaportën shqiptare dhe pritet të jetë në listë për ndeshjen e marsit. Por nuk do të jetë ky afrimi i fundit nga Kosova, pavarësisht se trajneri i Kosovës U-21, i quajti lojtarët që vijnë te Shqipëria si tradhtar që po shkojnë në një Kombëtare e cila do të organizojë Europianin me Serbinë. I ftuar në emisionin Koha Shtesë ishte ish-futbollisti i njohur në Kosovë, Taulant Dajaku. (Linkun e plot të emisionit Koha Shtesë mund ta gjeni më poshtë).
Sipas Dajakut, në bazë të informacioneve të tij, Silvinjo ka vëzhguar prej kohësh jo vetëm Brrutin, por edhe Dion Gallapenin e Prishtinës dhe Drilon Hazrollaj e Malishevës. Gallapeni është 20-vjeç dhe luan si mbrojtës i majtë, ndërsa shihet si një zëvendësues ideal i Mario Mitaj. Nga krahu tjetër, Drilon Hazrollaj shihet si një “Edon Zhegrova” i ri, teksa luan në krahun e djathtë të sulmit, por përdor këmbën e majtë, një veçori që Silvinjo e adhuron. Sipas Dajakut, biseda e këtyre lojtarëve me Shqipërinë ka shkuar shumë serioze dhe pritet që në të ardhmen të vishen kuqezi. /Sport Ekspres/