Më 25 shtator 2025, në kuadër të programit të edukimit të trajnerëve, Federata Shqiptare e Futbollit do të mirëpresë dy ekspertë të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), të cilët do të sjellin përvojën dhe njohuritë e tyre në fushën e trajnimit të të rinjve.
Bruno Redolfi, përgjegjës për zhvillimin e talenteve në Shkollën e Zhvillimit të Talenteve (SGS) të FIGC dhe zëvëndës trajner i ekipit italian U15, së bashku me Stefano Florit, përgjegjës për metodologjinë në SGS, do të jenë të ftuarit specialë të seminarit.
Seminari do të zhvillohet në datën 25 shtator në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe do të fokusohet në metodikat moderne të trajnimit për grupmoshat U11 dhe U14.
Ky event njëditor do të përfshijë sesione teorike dhe praktike, duke synuar përmirësimin e cilësisë së punës së trajnerëve dhe zhvillimin e talenteve të rinj në futbollin shqiptar.