Lacio është duke punuar për të sjellë në skuadër një mbrojtës krahu. Tavaresi, Kabali dhe Havi Galani janë tre alternativat për të cilat po punohet në klubin bardhekaltër. Por për të arritur një marrëveshje të re, duhet të largojnë një prej mbrojtësve aktualë të krahut.
Mes Pelegrinit, Laxarit, Marusiçit dhe Hysajt, ky i fundit pritet të ndajë rrugët me klubin kryeqytetas. “Corriere dello Sport” ka bërë me dije se është arritur marrëveshja me menaxherin e shkodranit për të mos vazhduar më bashkëpunimin mes palëve.
Mësohet se për momentin nuk ka ofertë për mbrojtësin shqiptar, por në rast se do të mbërrijnë, atëherë drejtuesit e Lacios nuk do të ndërhyjnë. Klubi do të ishte i kënaqur nëse do të kursente pagën e tij prej 2 milionë eurosh neto në sezon. Deri më tani interesim ka pasur nga klube që luajnë në Arabinë Saudite dhe në Katar, por ende nuk është paraqitur një ofertë zyrtare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/