Tomas Brdariçi është trajneri i ri i Vllaznisë. Kroato-gjermani kthehet sërish në Shkodër, ku synimet i ka të qarta: titullin kampion. Në një deklaratë për mediat, Brdariçi ka thënë se do të kërkojë revanshin në ndeshjen e radhës kundër Egnatias dhe se në fund synon të ngrejë trofeun e “Abissnet Superiore”-s. Trajneri i Vllaznisë ka sqaruar edhe raportin e tij me presidentin e klubit shkodran.
“Kështu është jeta. Gjërat ndodhin shpejt. Kam ardhur këtu pasi kam kaluar momente të mira, kemi zhvilluar ndeshje të mira. Objektivi është titulli kampion. Në jetë bëjmë të gjithë gabime. Edhe unë gaboj. Por gjithmonë kam pasur marrëdhënie të mira me presidentin. Vetëm 2 ditë në jetën time nuk kam pasur marrëdhënie të mirë me të. Për mua ekipi ka kualitete. Në fund të ditës, duhet edhe fat për të fituar ndeshjet. Jemi të përgatitur mirë fizikisht.
Egnatia ka bërë një kampionat të mirë. Duhet të shikojmë se çfarë të përmirësojmë që t’i mundim. Jam këtu për t’i dhënë ekipit identitet. Për këtë nuk ka kohë. Tani na duhet vetëm të punojmë fort dhe të fitojmë javën e ardhshme. E kam parë ndeshjen e fundit. Duam revanshin”, ka thënë Tomas Brdariçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/