“Abissnet Superiore” ka njohur sot fituesin e saj të këtij edicioni. Egnatia ka mposhtur Partizanin në finalen e “final four”-it, duke siguruar trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Rrogozhinasvve u ka mjaftuar goli i shënuar nga Ibrahimogluja në minutën e 35 të takimit për të mposhtur kampionët në fuqi të Superiores.
Partizani u përpoq të ndryshonte fatin e takimit, por në fund nuk arriti t’ja dilte dot. Egnatia ka shkruar kështu historinë, teksa për të parën herë në historinë e saj fiton titullin kampion në elitën e futbollit shqiptar. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Aleksi (Partizani): “Treguam që kemi një ekip të fortë si brenda edhe jashtë. Erdhëm në Tiranë dhe i rrahëm në mes të Tiranës. Jemi shumë të lumtur, fituam një trofe të rëndësishëm për një qytet kaq të vogël”.
Demrozi (Egnatia): “Këtë trofe ia dedikoj familjes sime, që më ka qendruar gjithmonë pranë. Në radhë të dytë Duamenës, që dha gjithçka për skuadrën tonë. Në radhë të tretë çunave. E besoja që do t’i merrnim të dy trofetë. Vjet ju kam thënë “S’keni parë asgjë akoma”. Sot ua treguam. Partizani ishte i ashpër, por edhe ne ishim të ashpër. Vetëm sot që s’kisha frikë nga Partizani, sepse i pashë lojtarët shumë të karikuar. Kam qenë dakort që në fillim për skemën. E pamë, u zhvilluan dy finale të bukura. Do të ishte edhe më bukur nëse do të ishte edhe Tirana. Lojtarët e mi kanë premio individuale, të cilat i kanë fituar të treja. E para ishte arritja në Europë, Kupa dhe më pas kampionati. I fituan të treja, plus premion që do u jap unë. Fernando nuk largohet, nuk e di kush e ka nxjerrë. Ka edhe një vit kontratë me ne. Rritje rroge për trajnerin? Merr boll para trajneri. Ka edhe 3 vite kontratë me ne”.
Tetova (Egnatia): “Të dyja kupat nuk ishim objektiv, por sipas ecurisë menduam që “përse jo?”. E pata deklaruar që është lojë episodesh. Edhe ne kishim mundësi me skemat që kishim përgatitur. Goditëm edhe shtyllën. Unë doja të fitoja duelet në mesfushë. E menaxhuam mirë, por normalisht që edhe Partizani kishte rastet e veta. Ia dedikoj trofeun familjes sime, sepse jam pak i pranishëm në familje. Së dyti ia dedikoj edhe Zallës. Vetëm Fernando do të largohet, nuk ka tjetër. Kemi dy oferta për dy lojtarë të tjerë, por duhet të rrimë me këmbë në tokë”.
Shehi (Partizani): “Mërzitja është prezente. Po të kishim shënuar, ndeshja do të kishte marrë drejtim tjetër. Pësuam një gol të evitueshëm. Patëm rastet tona. Presioni në ndeshje të tilla është i madh. Ndoshta ndikoi te lojtarët në pjesën e parë. E thashë në konferencën për shtyp që episodet do të vendosin dhe ashtu ndodhi. Pësuam me një rast. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të qajmë ato rastet e humbura. Do ta pranojmë, nuk kemi ç’të bëjmë. Nuk e durojmë dot, por do ta pranojmë.”/Halit Delibashi-Sport Ekspres/