Ernest Muçi kthehet në temë diskutimi të madhe në Turqi, shqiptari hipnotizon edhe arbitrat

Ernest Muçi është gjithmonë tema e parë e diskutimit në Turqi. Shqiptari e di mënyrën tanimë sesi të tërheq vëmendjen te Trabzonspori dhe të jetë ai protagonisti dhe njeriu për të cilin të gjithë do të flasin. Kjo nuk vjen më në një mënyrë të sforcuar, përkundrazi, është kaq shumë natyrale.
Në ditën e sotme, Trabzonspori është përballur kundër Gaziantep dhe rezultati është mbyllur në shifrat 1-2. Ernest Muçi do të dhuronte një asist fantastik në golin e parë të shënuar nga Felipe Augusto, që dërgonte shifrat në 1-1.

Me një prekje të menjëhershme, edhe njëherë tjetër shqiptari nxori bllof të gjithë vendosjen e mbrojtjes kundërshtare dhe më pas Felipe Augusto nuk e kishte të vështirë për të shënuar. Por goli i cili është komentuar gjatë është ai i fitores, 1-2, i realizuar vetëm tre minuta më vonë nga Onucachu.
Dhe këtu protagonisti kryesor është Ernest Muçi, edhe në një moment që shqiptari ishte jashtë aksionit të golit. Pas një inkursioni të bukur nga një prej lojtarëve të Trabzonspor nga krahu, do të vinte goditja e tij në drejtim të portës, e cila u ndal dhe më pas Onachuchu goditi për në rrjetë.

Përpara tij gjendej edhe Ernest Muçi në pozicion jashtë loje, i cili u hodh për të mos kapur topin dhe anulluar golin. Për fat të mirë, arbitrat e lejuan si gol të rregullt, por në fakt ishte një gol që duhej anuluar pasi Ernest Muçi që ishte në pozicion jashtë loje, ndikoi te portieri.

Edhe trajneri i Gaziantep ka reaguar ashpër pas ndeshjes duke u shprehur se nuk e kuptonte dot sesi arbitri nuk ka arritur dot që të kuptojë pozicionin jashtë loje të Ernest Mucit. Nëse deri dje shqiptari magjepste kundërshtarët, i hipnotizonte ata, tashmë ylli i Shqipërisë ka filluar që të hipnotizojë edhe arbitrat. /Sport Ekspres/