Ernest Muçi tejkalon pritshmëritë, Beshiktash bën gjithçka për ta pasur gati për derbin ndaj Fenerbahçes

Ekipi mjekësor i Beshiktashit po punon intensivisht për të rikuperuar sulmuesin shqiptar, Ernest Muçi, me synimin që ai të jetë i gatshëm për derbin e madh ndaj Fenerbahçes, më 4 maj. Muçi pësoi një dëmtim muskulor gjatë një ndeshjeje të fundit në Superligën turke dhe që atëherë ka nisur një program të posaçëm rikuperimi nën kujdesin e mjekëve dhe fizioterapistëve të klubit.

Stafi teknik i Beshiktashit e konsideron Muçin si një lojtar kyç në repartin ofensiv, ndaj prania e tij në këtë përballje të rëndësishme është e një rëndësie të veçantë. Derbi me Fenerbahçen është vendimtar për ambiciet e klubit në kampionat dhe mund të ndikojë ndjeshëm në pozitat përfundimtare në renditje.

Burime të mediave turke pranë klubit raportojnë se lojtari ka bërë përparim të dukshëm dhe pritet të rifillojë stërvitjet me grupin në ditët në vijim. Vendimi përfundimtar për aktivizimin e tij do të merret pak ditë para ndeshjes, në varësi të gjendjes fizike dhe ecurisë së rikuperimit. Beshiktash shpreson të ketë në dispozicion versionin më të mirë të Muçit për të përballuar një nga sfidat më të forta të sezonit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/