Një tjetër yll po i rritet Shqipërisë në Serinë A. Këtë herë bëhet fjalë për kapitenin e Shpresave, për Medon Berishën. Ky i fundit ka qëndruar në stol për gjatë gjithë sezonit pasi bëri kalimin nga ekipi i të rinjëve te ekipi i parë i Lecce.
Por me largimin e trajnerit D’Aversa dhe afrimin e trajnerit të ri Luca Gotti, ka ndryshuar edhe situata për Medonin. “Ai ka pasur pak hapësirë më parë, por mua më pëlqen shumë”, u shpreh Goti për Berishën para ndeshjes Lecce-Roma. Në përballjen kundër Milanit, 20-vjeçari do të hidhej në fushë në minutën e 77. Sipas asaj që raportohet nga mediat italiane, pritet që lojtari i Shqipërisë të aktivizohet më tepër në ndeshjet e ardhshme. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/