Ditët po afrojnë dhe gjithmonë e më tepër jemi duke iu afruar ndeshjes së 7 qershorit, asaj ndeshje ku zemrat e shqiptarëve do të fillojnë të tensionohen dhe sytë do të jenë të drejtuara në të njëjtin vend, te ndeshja Shqipëri-Serbi. Në mediat serbe kanë filluar shkrimet e para në lidhje me këtë takim, por është ende vetëm nxehmje përpara asaj që do të na pres në ditët në vijim.
Sot fjalën e parë në mediat serbe e ka marrë sulmuesi i Dortmundit dhe i Gjermanisë, Karim Adeyemi. Ky i fundit ndodhet me pushime në Kosovë dhe ka pozuar përpara Uck, duke bërë me dorë edhe shqiponjën. Jo tërësisht surprizë pasi Adeyemi është prej kohësh në një lidhje me këngëtaren e njohur shqiptare, Loredana.
Për shkak të kësaj lidhje, Adeyemi është familjarizuar shumë me shqiptarët dhe ka shkuar pak larg, duke dalë kështu hapur në mbrojtje të shqiptarëve në një kohë që po afron edhe ndeshja me Serbinë. Nëse do të ishte e mundur, Adeyemi do të ishte i gatshëm për të lënë Gjermaninë dhe për të luajtur me Shqipërinë kundër Serbisë në një ndeshje, po rregullat nuk e lejojnë.
Themi se është paksa guxim i treguar nga ky sulmues pasi duke parë karrierën e tij dhe nivelin ku luan, padyshim kjo fotografi e publikuar prej tij do të nxis urrejtjen e lojtarëve dhe trajnerëve serbë. Dhe kjo ka filluar, teksa mediat më të njohura në Serbi e kanë publikuar këtë foto duke shkruar: “Skandal, lojtari i Gjermanisë shkon me gruan e tij në Kosovë dhe pozon përpara Uck”.
Një tjetër “Provokacija” për serbët, por që këtë herë nuk vjen nga shqiptarët, por vjen nga Karim Adeyemi. Ndërkohë një ditë më parë, Mario Mitaj festoi titullin në Arabinë Saudite para syve të Rajkovic, duke mos u trembur aspak për të marrë me vete flamurin e Shqipërisë dhe veten të stampuar në të duke festuar me shqiponjë. /Sport Ekspres/