Është i 5-ti në Europë, Vedat Muriqi arrin lartësinë e Mbapesë, Halandit dhe Kejnit

Vedat Muriqi po shijon suksesin e tij te Majorka. Puna e palodhur është shpërblyer për shtatlartin shqiptar, i cili tashmë ka arritur lartësinë e futbollistëve të klasit botëror si Mbape, Haland apo Kejn. “Pirati” deri më tani ka shënuar 15 gola me fanellën e Majorkës, duke u renditur ndër golashënuesit më të mirë në Europë.

Sa i përket top 5 ligave më të forta të Europës, Muriqi e gjen veten në pozicionin e 5-të në listën e golashënuesëve më të mirë. Mbapeja dhe Kejni janë dy futbollistët që kanë shënuar më tepër, nga 22 gola secili. Ndërkaq, podiumin e plotëson Halandi me 20 gola të shënuar, ndërsa pas tij vjen Tiago i Brentfordit me 16 gola. Fill pas këtij të fundit gjendet Vedat Muriqi me vetëm një gol më pak. Një arritje e jashtëzakonshme për sulmuesin nga Kosova, duke marrë parasysh nivelin e kampionatit ku luan dhe ekipin ku bën pjesë, i cili është larg nivelit të Realit të Madridit, Bajernit të Mynihut, apo Mançester Sitit./Sport Ekspres/

Golashënuesit më të mirë në top 5 ligat më të forta të Europës:

  1. Mbape 22 (Real Madrid, La Liga)
  2. Kejn 22 (Bajern Mynih, Bundesliga)
  3. Haland 20 (Mançester Siti, Liga Premier)
  4. Igor Tiago 16 (Brentfordi, Liga Premier)
  5. Muriqi 15 (Majorka, La Liga)