Ademola Lookman-i mban përsipër një peshë të madhe të fajit për eleminimin e sotëm të Atalantës nga Champions League-a. Nigeriani ngushtoi shifrat në 1-3 pak sekonda pas nisjes së pjesës së dytë, ndërsa në minutën e 60 kishte shansin e artë për të shënuar golin e dytë. Por Lookman-i gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, duke ndikuar ndjeshëm në rrjedhën e lojës.
Gasperini nuk i ka kursyer kritikat pas përfundimit të ndeshjes. Ai ka thënë për mediat se Lukmani është një nga gjuajtësit më të këqinj të penalltive që i kanë zënë sytë. Trajneri i Atalantës ka shprehur haptazi pakënaqësinë e tij me nigerianin, pasi sipas tij, nuk duhet të ishte ai që do të godiste topin nga 11 metrat.
“Penalltinë qartësisht nuk duhet ta kishte gjuajtur Lookman-i. Është një nga gjuajtësit më të këqinj të penalltive që kam parë ndonjëherë. Edhe në stërvitje ka një përqindje shumë të ulët, i godet vërtetë keq. Ai donte ta gjuante penalltinë pasi shënoi golin. E mori topin pavarësisht se Retegui dhe De Keteleare ishin të gatshëm për ta gjuajtur. Nuk më pëlqeu ajo që Lukmani bëri”, ka thënë Gian Piero Gasperini./Sport Ekspres/