“Është ndryshe nga herët e tjera”! Gazetari në Kosovë i impresionuar nga fanella e re e Kombëtares: Mahnitëse…

FSHF ka zbuluar edhe fanellat e reja të Kombëtares për Ligën e Kombeve, pas një aventure të mbyllur në Europian. Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi sigurisht që është në ngjyrën e kuqe tradicionale (ngjyrën e flamurit shqiptar) me pjesën e qafës dhe skajet e mëngëve në ngjyrë të zezë. Karakteristika grafike që bën dallimin në këtë fanellë është e stampuar në pjesën e përparme, me një dizajn tipik të kulturës shqiptare, veçanërisht e përdorur në veshjet tradicionale, në sixhade dhe stolitë e tjera në përgjithësi, alternohet me dizajnin e shqiponjës me dy koka. Pjesa e brendshme pas qafës është e personalizuar me një etiketë me sfond të kuq me detaje të grafikës së pranishme në fanellë, shkrimin FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT, logon e Macron dhe shkrimin ‘Designed in Bologna’ që vërteton se çdo veshje është ideuar, projektuar dhe zhvilluar në “Macron Campus”. Në gjoks, në të djathtë është stampa e zezë prej silikoni, Macron Hero, dhe në të majtë është logoja e FSHF-së.

Në fund të fanellës nga brenda është vendosur përsëri një shirit me shkrimin e ndarë nga dizajni i shqiponjës “Ti Shqipëri, më jep nder”, një frazë e kthyer në slogan të Shqipërisë, e marrë nga poezia e poetit të njohur Naim Frashëri. Në shpinë, në pjesën e jashtme të kornizës së qafës, me të zezë është stampuar shkrimi SHQIPËRI (Albania), që përsëritet me grafikë të stampuar dhe në fund të fanellës. Pantallonat janë në ngjyrë të zezë, me logon Macron Hero në shiritet anësore. Edhe çorapet janë në ngjyrë të zezë, me dy shirita horizontalë lart në ngjyrë të kuqe, e njëjta ngjyrë me logon Macron Hero të vendosu mbi kavilje dhe shkrimi Shqipëri mbi pulpë.

Ndërkohë për gazetarin sportiv shqiptar në Kosovë, Besmir Topalli, kjo fanellë është ndryshe nga të gjithë të tjerat. “Cfarë fanelle mahnitëse, ndryshe nga vitet e tjera, ajo se çfarë i jep identitet kësaj fanelle është vija vertikale me modele tradicionale, e thjeshtë dhe e bukur. Bravo”, shkruan Besmiri. /Sport Ekspres/