Tema e shumë diskutuar e këtyre ditëve te Kombëtarja është Etnik Brruti. Ky futbollist është pjesë e Malishevës dhe papritur është kthyer në fjalën e parë në të gjitha mediat shqiptare. Kjo për shkak se ky lojtar zgjodhi që t’i bashkohej Shqipërisë dhe u ftua nga Silvinjo për ndeshjet e marsit. Pra mesfushori i Malishevës do të luajë në dy takimet tona të marsit, ku kryefjala është padyshim ajo përballje kundër Anglisë.
Gazetari Arlind Sadiku ka treguar lajmin ekskluziv se Brruti është pajisur së fundmi zyrtarisht me pasaportën shqiptare. Pra tani nuk ka më asnjë pengesë për këtë lojtar te Shqipëria dhe pjesëmarrja e tij në listën që me gjasë do të publikohet ditën e premte, duket një çështje e mbyllur.
Por ky kalim i këtij lojtari ka ngjallur shumë diskutime kryesisht në Kosovë. Kjo për shkakun se Brruti ndodhej me shirit kapiteni te U-21 dhe tani do të jetë pjesë e Shqipërisë. Një diskutim që i ka kaluar të gjitha pritshmëritë dhe është kthyer në një skandal të vërtetë pasi Brruti po quhet një tradhtar në Kosovë.
Sigurisht që një kalim i tillë nuk mund t’i kënaqë ambientin sportiv në Kosovë dhe kryesisht trajnerët e grupmoshave të dardanëve, që investojnë për këta lojtarë dhe në fund bëhen pjesë e Shqipërisë. Deri këtu është gjithçka e drejtë dhe logjike, por ajo që nuk mund të pranohet është cilësimi si tradhtar për këtë futbollist kur në fund të fundit, nuk ka zgjedhur as Belgjikën dhe as Zvicrën, por ka zgjedhur Shqipërinë. Për fat të keq, këto zëra janë shtuar shumë së fundmi dhe nuk janë të pakët.
Është e papranueshme që lojtarët të kenë një presion të tillë kur zgjedhin që të kalojnë nga Shqipëria te Kosova apo nga Kosova te Shqipëria. E gjitha kjo situatë e ndërlikuar ka detyruar edhe babain e Etnik Brrutit, Besnik Brruti, që doli me një deklaratë zyrtare në Facebook, atje ku shkruan:
Tradhëtarë janë të gjithë ata që i thonë tradhëti mbrojtjes së flamurit të Adem Jasharit, Zahirit, Agimit e të gjithë dëshmorëve të rënë për liri! Biri im ka marrë një vendim që buron nga bindjet e tij dhe dashuria për kombin. Ai nuk e ka refuzuar Kosovën, por ka zgjedhur të luajë për kombëtaren Shqiptare, për flamurin me të cilin i kemi mbështjellë dëshmorët tanë.
Kjo nuk është tradhëti, por besnikëri ndaj idealit për të cilin kemi luftuar. Të gjithë ata që sot e gjykojnë duhet ta dinë se askush nuk mund të na japë leksione për atdhedashuri dhe sakrificë për Kosovën. Askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim vendimin e Brrutit, i cili me zemër dhe shpirt po ndjek rrugën e tij, duke mbrojtur vlerat kombëtare. Për ne, Kosova dhe Shqipëria nuk ndahen, sepse jemi një komb, një gjak dhe një histori!”, ka shkruar Besnik Brruti. /Sport Ekspres/