Fabinho rrinte me gishtin lart dhe vetëm e shikonte, Mario Mitaj tallej me rivalët në driblim 

Mario Mitaj e ka nisur rrugëtimin e karrierës së tij në mënyrë të shkëlqyer, ndoshta edhe vetë futbollisti nuk e priste një nisje të tillë më parë. Vetëm 21-vjeç, këtë sezon ka fituar dy trofe me Al Ittihadin, titullin kampion dhe Kupën, titullar i padiskutueshëm te Al Ittihadi, titullar i padiskutueshëm te Shqipëria dhe një Europian i zhvilluar me Shqipërinë, tregojnë qartazi se karriera e këtij futbollisti do të jetë e shndrritshme. 

Mitaj ka lënë pas një dëmtim jo të vogël, por është rikthyer për të mbajtur të njëjtin nivel të lartë. Madje statistikat janë të gjitha në favor të tij pasi me të në fushë, Al Ittihadi ka zhvilluar 22 ndeshje ku ka marrë 20 fitore, 2 barazime dhe 0 humbje. Ndërkohë pa të, Al Ittihad numëron 3 humbje në kampionat. 

Në mbrëmjen e djeshme, Mario Mitaj ka fituar Kupën e Arabisë Saudite pasi ekipi i tij mundi Al Qadisian në shifrat 3-1 falë dy golave të Benzema. Mbrojtësi shqiptar luajti për 90 minuta dhe zhvilloi një performancë të nivelit të lartë, duke mos u kursyer aspak në spektaklin e tij. 

Një moment shumë interesant dhe detaj i bukur gjatë ndeshjes është parë me Mario Mitajn. Teksa kishte një kundërshtar përpara dhe një tjetër po i afrohej, Mario del nga situata dhe shoku i tij i ekipit, ish-mesfushori i Liverpul, Fabinho, po i drejtonte gishtin për t’i treguar se ku mund ta dërgonte topin, për të bërë më të thjeshtën dhe të siguronte pasimin. 

Por në fakt Mitaj nuk zgjedh më të thjeshtë dhe nisi të luante pak duke i dribluar disa herë dy kundërshtarët e tij, për t’i sjellë rreth e rrotull vetes me topin në zotërim, ndërsa edhe vetë Fabinho po e shihte po kaq i impresionuar, madje pa hequr edhe gishtin tregues. Në fund Mitaj zgjodhi tërësisht një tjetër anë pasimi për të vazhduar aksionin por ky detaj i përmendur vlen shumë për të treguar se çfarë mund të presin shqiptarët nga ky lojtar për ndeshjen kundër Serbisë. Mario Mitaj është në super formë dhe do të jetë një vlerë e madhe e shtuar pas mungesës së itj në dy ndeshjet e marsit, vecanërisht për ndeshjen e humbur mes pengjeve dhe diskutimeve kundër Anglisë. /Sport Ekspres/