Mirlimd Daku ka reaguar pak minuta më parë në lidhje me ngjarjen e ndodhur pas ndeshjes me Kroacinë. U pretendua se sulmuesi nga Gjilani mori altoparlantin dhe lëshoi fraza fyese ndaj serbëve dhe maqedonasve. Vetë lojtari i Rubin Kazanit ka kërkuar ndjesë publike përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”. Daku ka bërë me dije se në ato çaste u rrëmbye nga emocionet e mëdha të ndeshjes, prandaj kërkon falje nëse fjalët e tij mund të kenë fyer dikë.
“Përshëndetje të gjithëve! Së pari dua të jem falenderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024. Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.
Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar”, ka shkruar Mirlind Daku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/